Aktualitet Politikë

Zgjedhja e Presidentit nesër në Kuvend, Berisha: “Do të jemi e do të votojmë kundër!”

Nesër në raundin e 4-rt në Kuvend, votohet emri i presidentit të ri të vendit dhe në daljen e sotme për mediat, kryetari demokrat Berisha bëri të ditur se do të jetë në sallë për të votuar kundër kandidaturës që vjen nga maxhoranca. “Nuk i njohim të drejtë legjitimi Ramës. Ne besojmë se do të ishte e drejtë një president i zgjedhur nga opozita. Rama do që të marrë 100% të pushtetit, njësoj si Aleksandër Lukashenko. Ne do të jemi aty dhe do të votojmë kundër”, – tha Berisha.

Sali Berisha komentoi edhe emrin e gjyqtarit Ardin Dvorani, i lakuar në media si kandidat për postin e kreut të shtetit. Berisha sulmoi gjykatësin e vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “simbolizon korrupsionin dhe konfliktin e interesit”.

Presidenti nuk zgjidhet këtu për një shtet të SHBA-ve apo një shtet tjetër, zgjidhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse ka një gjykatës që simbolizon korrupsion e konfliktin e interes më shumë se kushdo tjetër që unë njoh në drejtësi, ai është Dvorani i partisë.

Ndërkohë, kishte një koment lidhur me rezolutën e dorëzuar në Kuvend për genocidin serb.

Refuzimi nga qeveria aktuale, pseudomaxhoranca aktuale për të denoncuar genocidin serb në Kosovë është një akt makabër antikombëtar. Ky vendim dëshmon qartë se Tirana nuk është gjë tjetër veçse një Beograd i vogël dhe se jo interesat kombëtare të shqiptarëve, por interesat çnjerëzore ekspansioniste të Beogradit janë preferenca dhe përparësia e qeverisë së Ramës. Kjo situatë po shkon drejt një drame të vërtetë. Mohohet genocidi, qindra mijëra të rënë, të vdekur dhe kjo vetëm për shkak të vasalitetit absolut të Ramës ndaj Vuçiçit. Ka ardhur koha që çdo shqiptar të mendojë mirë për interesin tij kombëtar.

Ndërkaq, Berisha akuzoi Bordin e Transparencës se “kontrollon çmimet e karburantit për llogari të qeverisë”.

Nuk mund të ketë borde që kontrollojnë tregun për llogari të qeverisë, qytetarët paguajnë çmimin e këtyre organizmave korruptive qeveritare, të ngritura me qëllimin e vetëm për të diktuar çmime stratosferike dhe vjedh sa më shumë qeveria me klientelën e vet. Kërkoj ndërprerje urgjente të veprimtarisë së tyre. U bëj thirrje anëtareve të Bordit, të japin dorëheqjen menjëherë!