Aktualitet Politikë

Zgjedhja e presidentit, opozita vijon konsultimet për emrat!

Zgjedhja e Presidentit, kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj vijon sot konsultime me deputetët dhe me aleatët, lidhur me procesin. I pyetur nëse do të konsultohet me Berishën, theksoi se do të flasë vetëm me “anëtarët e Grupit Parlamentar”.  “Nuk kemi ngut për të konsultuar deputetët të shprehin qëndrimin apo dhe emrin eventual”, – tha Alibeaj.

Grupi parlamentar i PD-së rimblidhet në orën 16:00 të pasdites, për të zhvilluar diskutim të thelluar lidhur me emrat e kandidatëve që do të propozohen për presidentin e ri.

Në mbledhjen e ditës së djeshme të Grupit Parlamentar të thirrur nga Enkelejd Alibeaj ishin të pranishëm 26 deputetë. Si kandidatura për postin e kreut të shtetut, dhanë emrat e Rexhep Ukës, Halim Kosovës, Dashamir Shehut, Leka Zogut të Dytë, Leonard Demit, Arben Çejkut, Dritan Demirajt e Visar Zhitit.

Në raundin e dytë dhe të tretë, opozita do të prezantojë katër emra: dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Fatmir Mediu, i cili përfaqëson Aleancën për Ndryshim e nga Mesila Doda, në emër të grupit për Demokraci dhe Integrim.

Prej këtyre katër emrave, dy do të zgjidhen nga maxhoranca socialiste. Më pas do të krijohet një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të të cilit do të jenë nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, për të dalë në vetëm një kandidat që do të çohet për votim në Kuvend, në seancën plenare të datës 23 maj. Kandidati do të propozohet me firma të përbashkëta PD-PS.

Dje, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së që zgjati tre orë, Enkelejd Alibeaj ritheksoi se “do të vijojë konsultimet me deputetet demokratë”, ndërsa vuri në dukje që do të marrë mendime edhe nga aleatët. Ndonëse Gazment Bardhi kërkoi “armëpushim” në mënyrë që të merreshin parasysh edhe kandidaturat e Rithemelimit, Alibeaj deklaroi se do të flasë vetëm me “anëtarët e Grupit Parlamentar”.