Aktualitet Politikë

Zgjedhja e presidentit, sot mbledhja e grupit demokrat për propozimet mbi kriteret!

Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, për sot pas mesdite, në orën 14:00 është thirrur mbledhja e grupit parlamentar demokrat. Kryetari Enkelejd Alibeaj iu la afat deputetëve mbrëmjen e 8 majit, që të dërgojnë me shkrim propozimet mbi kriteret që sipas tyre duhet të plotësojë Kryetari i Shtetit.

Secili anëtar i grupit mund të sugjerojë kriteret që do të propozojmë për zgjedhjen e Presidentit, si dhe rregullat e procedurës që do të ndiqet për përzgjedhjen konsensuale, ku opozita të ketë rol thelbësor në proces. Më pas, kryetari i grupit do të bëjë përmbledhjen e qëndrimeve dhe dokumenti do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar.

Demokratët ende nuk kanë një qëndrim të unifikuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Ndërsa ka deputetë që kërkojnë përfshirjen në tryezën e negociatave dhe prezantimin e propozimeve konkrete sa i përket kandidaturave, Komisioni i Rithemelimit, i ngritur në Kuvendin e 11 dhjetorit të kaluar të thirrur nga ish-kryeministri Berisha është plotësisht kundër. Ky komision shprehet plotësisht kundër uljes në tryezë me maxhorancën e pak ditë më parë miratoi edhe një rezolutë që ndalon përfshirjen e opozitës në proces nëse nuk e zgjedh ajo presidentin.

Por, Partia Socialiste e ka bërë të qartë se “nuk pret ultimatume nga opozita”. Të premten, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri deklaroi:

Ultimatumi është një metodë që ne nuk e njohim, aq më tepër që vjen nga persona që nuk është se janë të qartë se çfarë përfaqësojnë.

Damian Gjiknuri theksoi edhe se “Presidenti i ri duhet të jetë figurë që qëndron mbi palët”.

Të gjejmë një profil të asaj që kemi thënë, pra pa interesa të çastit politik, pa plane politike, që të mos e kontaminojë zyrën e presidentit me axhendat e tij politike, siç ishte rasti i Ilir Metës, që vërtet u zgjodh se ishte pjesë e maxhorancës në atë kohë, por në momentin që vajti president dhe si u zhvillua dinamika e ngjarjeve në vend, u duk qartë se ai kishte plane për periudhën pas zyre. Dhe gjatë 5 viteve në zyrë punoi si të imponohej si një figurë e lidershipit të ardhshëm opozitar, që mesa duket po evidentohet çdo ditë, në këtë pikëpamje.