Aktualitet

Zgjedhja e presidentit të ri, sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve!

Vijojnë sot procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa data u bë e ditur në mbledhjen e 4 majit të Konferencës së Kryetarëve nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Të mërkurën e kaluar, Nikolla deklaroi:

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri konsiderohet e pambyllur dhe do të vijojë më 10 maj, me kërkesën e propozuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe të mbështetur nga Maxhoranca.

Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla u shpreh:

E rëndësishme është që i gjithë procesi, nga dita e parë në ditën e fundit, të zhvillohet sipas Kushtetutës. Tradita parlamentare është e konsoliduar në këtë proces, në frymën e parashikimeve kushtetuese. Procesi do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm në nivelin e grupeve parlamentare. Ky është kushti i vetëm që PS ka. Se çfarë bëni ju në krahun tjetër të opozitës, bini dakord apo jo, është çështja juaj, por i gjithë procesi do të zhvillohet në Kuvend dhe rregullorja e Kuvendit ka përcaktuar grupet parlamentare. Pastaj opozita brenda vetes ka proceset e veta dhe maxhoranca brenda vetes po zhvillon proceset e veta.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se “përfaqësuesit e opozitës duhet të marrin pjesë në këtë proces”, duke qenë “një formë detyrimi kushtetues, por edhe ndaj shqiptarëve”.

Një detyrim që kurrsesi nuk duhet t’i shmangemi. Ne mund të kemi këndvështrime të ndryshme për zgjedhjen e presidentit, ndaj duhet të përballemi me të gjitha divergjencat tona.

Vetë procesi i zgjedhjes së presidentit është një proces që duhet të jetë totalisht në shërbim të publikut, një proces i cili zhvillohet për shkak të parashikimeve kushtetuese brenda godinës së Parlamentit, por duhet të jetë një produkt që t’i shërbejë publikut dhe ne duhet të bëjmë zgjedhjet tona, që publiku të jetë i informuar.

Kushtetuta thotë: procesi duhet të fillojë më 24 maj, për sa kohë data e përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë është 24 korriku. 60 ditë më parë duhet të fillojë kjo procedurë. Për sa kohë afati i fundit para të cilit dihet të fillojë përzgjedhja e presidentit është 24 maj, ne jemi në kohë ku mund të përcaktojmë si moment të parë fillimi nga ku starton procesi dhe unë propozoj të jetë data 10 maj.

“Bie dakord me Alibeajn që fillimi i procesit të konsiderohet data 10, por kjo mbledhje të jetë vijuese”, – u shpreh Balla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 4 maj.