Rajoni

Zgjedhje të parakohshme për Maqedoninë e Veriut?!

Në Maqedoninë e Veriut, drejtuesit e partive të koalicionit qeveritar, sot mblidhen në një takim të thirrur nga kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Aty janë ftuar liderët e BDI-së, Alternativës, PDSH-së, PLD-së, LD-së, DOM-it, si dhe nga të tjera forca politike të koalicionit, përfshirë të pakicave.

Kovaçevski pret të rikonfirmohet qëndrimi që 2024-a të jetë viti i zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale. Me këtë, ai po sinjalizon se nuk pranon kushtëzimet dhe thirrjet e VMRO-DPMNE-së e të partive opozitare shqiptare lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjithashtu, takimi i sotëm i partnerëve të koalicionit, vjen pas protestës së djeshme të organizuar nga VMRO-DPMNE para selisë së Qeverisë dhe ku u bë thirrje që këtë verë të caktohet data për zgjedhje të parakohshme. Në të kundërtën, u paralajmërua bllokadë totale e Parlamentit, krahas të tjera formave të protestës, nga ana e opozitës.

I pyetur nëse do të diskutohet për qëndrimin e vendit ndaj Bullgarisë në rast se sërish Maqedonia e Veriut nuk merr datë për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, si rezultat i vetos bullgare, kryeministri tha se “secili mund të shprehë mendimin e tij”. Por, shefi i qeverisë së Shkupit bëri të qartë se “në mbledhje synohet të diskutohet gjithçka që është bërë, për të përballuar krizën gjatë qeverisjes aktuale dhe se çfarë hapash mund të ndërmerren në të ardhmen”.

Ndërsa Franca ka përgatitur një propozim për zgjidhjen e grindjes mes Shkupit e Sofjes për çështje të karakterit historik, për Bullgarinë, ky i presidencës franceze të Bashkimit Europian është “hap në drejtimin e duhur”, por mbeten shumë çështje për t’u sqaruar para se t’i heqë veton Maqedonisë së Veriut. Këtë e deklaroi presidenti Rumen Radev, duke komentuar dokumentin e Parisit që Maqedonisë së Veriut e bashkë me të, Shqipërisë, t’i hapet rruga e bisedimeve me BE-në. Presidenti i Bullgarisë, Radev shprehet se “kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duhet të bëhet para fillimit të bisedimeve”.