Aktualitet

Zgjedhjet e 25 prillit, 67 numërues për ndjekje penale!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi sot se KQZ-ja do të çojë për ndjekje penale në Prokurori, 67 anëtarë të grupeve të numërimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Celibashi tha se në dy qendra votimi janë identifikuar 20 raste të votimeve të shumëfishta.

Në total janë 67 anëtarë të grupeve të numërimit, pra janë 18 grupe numërimi dhe 67 anëtarë të grupeve të numërimit, emrat e të cilëve do të referohen në organin e Prokurorisë. Të gjitha shkeljet që ne i kemi vlerësuar si shkelje të natyrës penale, kanë të bëjnë me diferenca në fletët e votimit apo në rezultatin e votimit për kandidatin, jo për partinë politike.

Ne nuk jemi në kushte për të hetuar dhe verifikuar për këta anëtarë, që janë apo jo përgjegjës për këto parregullsi. Do i takojë organit të Prokurorisë për të konkluduar nëse përgjegjës janë të 4 anëtarët e grupit apo vetëm njëri prej tyre. Të 4 janë përgjegjës para ligjit. Janë 20 raste kur kemi parë votim të shumëfishtë në 2 qendra votimi.