Aktualitet

Zgjedhjet e 25 prillit, Kim sërish thirrje partive: Në lista të mos vendosen persona me probleme me ligjin!

Kur mbeten pak më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit e ka nisur prezantimi i kandidatëve për deputetë, Yuri Kim përsërit thirrjen që në lista të mos vendosen persona me probleme me ligjin. Ambasadorja Amerikane në Tiranë thekson: “Nëse doni të dini nëse ky paralajmërim mbetet i vlefshëm, kjo është ajo që Tony Blinken, i nominuari i Presidentit Biden për Sekretar Shteti tha në seancë para Senatit: “Ne duam të lartësojmë punën në luftën ndaj korrupsionit”.

Më tej, Kim ripublikoi mesazhin e 22 korrikut kur shkruante: “Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi kontrolloni kandidatët tuaj – mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin!”

Më 25 prill, Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme.  Mbi 800 mijë shqiptarët nuk e kanë rinovuar kartën e identitetit dhe nëse nuk kanë as pasaportë nuk mund të votojnë.  Në total në zgjedhjet e 25 prillit kanë të drejtë vote 3.5 milionë banorë.