Aktualitet

Zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki, kushtojnë 180 milion lekë!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se po punohet që në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të aplikohet sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve. Po ashtu, synohet të aplikohet sistemi i votimit elektronik në Vorë.

Në një konferencë për shtyp, Celibashi dha detaje teknike:

Për bashkinë e Dibrës ka një KZAZ në të cilën zhvillohen zgjedhjet. Në 2021 kanë qenë 56 mijë e 642 zgjedhës të regjistruar. Janë 101 QV në të cilat do të votohet në bashkinë Dibër më 6 mars. Në bashkinë Shkodër janë 4 KZAZ, të cilat do të administrojnë procesin zgjedhor në këtë bashki. Në zgjedhjet e 2021 kanë qenë 166.983 zgjedhës në listën e zgjedhësve, janë 250 QV.

Në Vorë është një KZAZ, janë 44 QV në të cilat do të votohet. Në 2021 kanë qenë 30.053 zgjedhës. Në bashkinë e Rrogozhinës ka një KZAZ, 53 QV, kanë qenë 31.996 zgjedhës më listën e zgjedhësve më 25 prill. Në bashkinë Lushnje kemi 2 KZAZ, 157 Qendra Votimi, në të cilat do të votohet. Kanë qenë të regjistruar 104.249 zgjedhës në zgjedhjet e 2021. Në Durrës kemi 4 KZAZ, janë 335 QV në të cilat do të votohet. Zgjedhës të regjistruar në 2021 kanë qenë 258.633. Në total janë 13 KZAZ, 940 QV në të cilat do të votohet më 6 mars.

Sa i përket kostos së zgjedhjeve, Celibashi tha se sipas një vlerësimi paraprak ajo shkon në rreth 180 milion lekë.

Po punojmë që dhe për këto zgjedhje të aplikohet sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve. Në konsultim me partitë do vendosim në lidhje me aplikimin e votimit elektronik në bashkinë e Vorës.

Qëllimi ynë si KQZ është që ta aplikojmë sistemin e votimit elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë. Por do ta konsultojmë me partitë politike, por nuk shoh ndonjë pengesë për ta bërë. Sot, apo maksimumi nesër para dreke do të kalojmë aktet me përcaktimin e afateve për regjistrimin e subjekteve zgjedhore.