Aktualitet

Zgjedhjet e pjesshme vendore, 27 shkurti e 6 marsi data të mundshme!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh sot se “për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki ka propozuar dy data kryesore, 27 shkurtin dhe 6 marsin”, ndërsa përgjigja përfundimtare i takon KQZ-së. Pas takimit konsultativ me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Presidencë, Meta vuri në dukje se “në lidhje me këto zgjedhje, nuk ka kërkuar takim me përfaqësues partish, por vetëm e diskutoi me përfaqësuesin e shumicës, për të mos pasur kundërshtim nga ana e tij”.

Balla më dha garanci për pjesëmarrje dhe mirëkuptim për datën. Me pak fjalë nuk ka pasur konsultim me partitë, por me përfaqësuesit e shumicës në Kuvend për të mos pasur polemika. Po të kishte konsultime me partitë do të ftoja kryetarin e partisë ose sipas protokollit Sekretarin e Përgjithshëm të partisë. Kemi dy data 27 shkurti dhe 6 marsi. Unë nuk kërkoj datë, jap një datë dhe për mua më e rëndësishme në këtë rast është KQZ, pasi ajo do të merret me organizimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, Taulant Balla u shpreh se “zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar brenda afatit 45-ditor”.

Dhe për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligji dhe Kushtetuta. Nga presidenti jemi informuar edhe me institucionet përgjegjëse për zhvillim. Presidenti mendon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën 6 Mars. Për ne, Kushtetuta dhe ligji janë të panegociueshme. Unë e thashë, zgjedhjet në Shkodër duhet të ishin zhvilluar në shtator të vitit 2019. Unë kam ardhur për këtë çështje dhe dua të jem korrekt për rëndësinë që ka ky moment kur ndodhemi sot. Pas disa shkeljeve, Gjykata Kushtetuese ka folur dhe kjo çështje ka marrë fund!

Kreu i grupit parlamentar socialist shtoi:

Në këtë moment pas vendimit të qartë të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë biem dakord që ne kemi qenë në anën e duhur të historisë dhe të marrëdhënies me Kushtetutën dhe besoj se Presidenti i Republikës e ka kuptuar që ka qenë në krahun e kundërt të respektimit të Kushtetutës. Të jesh dakord me Kushtetutën dhe ligjin është detyrim për çdo institucion. Kush e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin deri më sot besoj e kanë kuptuar që kanë qenë gabim dhe po rindreqet me kostot përkatëse. Në këtë aspekt nuk hyra fare në këtë pjesë. Kuvendi i Shqipërisë është investuar në procese të rivendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë.

Ndërkaq, nuk mungoi reagimi i Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi:

Asnjë habi nga qëndrimi i sotëm i Ilir Metës! Konsultimet mes Trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë, para dhe pas kamerave. Sot ishte teatri i radhës para kamerave!