Aktualitet

Zgjedhjet e pjesshme vendore, KQZ publikon shkresën e Metës!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi sot për mediat shkresën që Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka drejtuar, nëpërmjet të së cilës i kërkohen të dhëna mbi vakancat e parakohshme në organet drejtuese ekzekutive të pushtetit vendor.

Në shkresën dërguar KQZ-së nga Presidenti i Republikës thuhet se “Presidenti i Republikës ju drejtohet me këtë shkresë për të marrë një informacion zyrtar mbi këtë pyetje:

– Kush janë saktësisht ato njësi të Qeverisë Vendore (Bashki) në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019 – janar 2022, sipas informacionit tuaj të Kryetarëve të Bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme? Cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm të mandatit për plotësimin e të cilave është i nevojshme organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë?

Meta u shpreh sot në një konferencë për shtyp se pas marrjes së përgjigjes nga KQZ do të caktojë datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

I pyetur nëse kreu i PD, Basha i kërkon sërish shtyrjen e zgjedhjeve duke parë situatën në PD, Meta tha se “nuk dëshiron të hyjë në polemika të panevojshme”.

Jam mëse i bindur që kam bërë një akt patriotik, mbi të gjitha që kam anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe që kam shmangur një konfrontim të programuar, të qartë prej kohësh mes demokratëve, opozitarëve dhe socialistëve, duke dhënë mundësi, jo vetëm për zgjidhje gjithëpërfshirëse, që u minua nga të dyja palët, nga lidershipët përkatës, por edhe duke dhënë një mundësi për rrugëdalje për të mos u përplasur, sikurse ndodhi. Ju patë se çfarë ndodhi më 8 janar mes demokratëve, megjithëse s’kishte vetëm demokratë atje.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, Meta deklaroi se “Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare”.