Aktualitet

Zgjedhjet lokale, në Durrës, Lushnjë e Dibër kryesojnë socialistët/ Në Shkodër, Bardh Spahia/Vorën e Rrogozhinën i mori PS!

Në katër bashki të vendit vijon numërimi i votave për zgjedhjet e pjesshme lokale të një dite më parë. Pas Vorës, Partia Socialiste siguron edhe Rrogozhinën ku kandidati Edison Memolla fitoi numrin më të lartë të votave për të marrë detyrën e kryebashkiakut. Po ashtu, socialistët janë në avantazh të ndjeshëm në Durrës, Lushnjë e Dibër, me Emirjana Sakon, Eriselda Sefën e Rahim Spahiun.

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” është pranë fitores së bashkisë Shkodër, ku kandidoi me Bardh Spahinë. Ndërkaq, Partia Demokratike duket në humbje më të thellë duke u renditur e treta në të gjitha bashkitë, me përjashtim të Rrogozhinës ku kandidati i selisë blu, Ferdinand Saraçi u rendit i dyti. Sa i përket socialistëve, janë rritur në çdo bashki krahasuar me zgjedhjet parlamentare të rreth një viti më parë.

Kujtojmë se i pari rezultat i votimeve të pjesshme u shpall mbrëmë, me Vorën ku u realizua votimi dhe numërimi elektronik. Aty fitoi kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera, me mbi 69% të votave. Më së shumti, zgjedhjet u panë si një garë brenda opozitës ndërsa u zhvilluan pa problematika të theksuara. Pjesëmarrja ishte e ulët, 30.33% referuar KQZ-së.

Rasti i Vorës mori vëmendjen më të madhe. PD pretendoi se anëtarët e PS-së dhe LSI-së në Komisionin Zonal, KZAZ, refuzuan të emërojnë përfaqësuesit e kësaj force politike në komisionet e qendrave të votimit. Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ishte vetë në Vorë, KZAZ i dha zgjidhje problemit. Ai tha se në qendrat e vizituara personalisht prej tij procesi i votimit po ecte mjaft mirë. PD megjithatë ka bërë kallzim penal, duke pretenduar se përfaqësuesit e forcave të tjera pjesëmarëse në zgjedhje, po bashkëpunojnë kundër PD-së.

Gjatë ditës së djeshme pati edhe denoncime për votime familjare në disa qendra në Vorë, ku votimi është elektronik, sikundër më pas dhe numërimi.

Natyra e problematikave nuk ka qenë e tillë që të ndikojë në procesin e administrimit zgjedhor.

Në Shkodër, votimi u anulua dhe u shpall i pavlefshëm, në tre qendra në zona të thella për shkak të kushteve të motit. Vetëm në përfundim të procesit do të vlerësohet, nëse mungesa e votimit në këto qendra që në total kanë 3300 votues ka ose jo ndikim në rezultat.