Rajoni

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Kosova nis fushatën!

Zyrtarisht, sot në Kosovë fillon fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Për shkak të pandemisë COVID-19, pati rekomandime për shtyrje të votimeve e shkurtim të kohëzgjatjes së fushatës, por përfaqësuesit e partive politike nuk dhanë konsensus për një gjë të tillë pas takimeve me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.

Përjashtim bënë kryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e të Aleancës për Ardhmërinë. Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj njoftuan se fushatën do ta zhvillojnë në vetëm 5 ditë, nisur nga rëndimi i gjendjes epidemiologjike sa i përket përhapjes së koronavirusit. Kujtojmë se ditët e fundit, Kosova ka shënuar rekorde të zeza sa i përket viktimave nga COVID-i e po ashtu janë shtuar infektimet për shkak të variantit Delta, i njohur për transmetueshmërinë e lartë.

Nga dje, ka filluar votimi me postë për emigrantët. Në mbledhjen e fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, miratoi edhe numrin e saktë të fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet.

Në ditën e votimeve, më 17 tetor do të jenë në dispozicion 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime për kandidatët për kryetar të komunave e po kaq, për asambletë komunale.
Edhe pse numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë, KQZ ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9.91%. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore në Kosovë. Ndërkaq, fushata zgjedhore u konsiderua si çështje e përcaktuar me ligj që nuk mund të ndryshohet.