Aktualitet

Zgjedhjet Lokale të 30 Qershorit, Kushtetuesja i drejtohet me 3 pyetje Komisionit të Venecias

Gjykata Kushtetuese ka publikuar këtë të enjte, pyetjet me të cilat do t’i drejtohet Komisionit të Venecias lidhur me procesin gjyqësor të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese ka në shqyrtim çështjen e paraqitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.

Në seancën plenare të datës 23.06.2021, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi parashtrimet e kërkuesit dhe subjekteve të interesuara, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë një opinion amicus curiae nga Komisioni i Venecias në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim.

Gjykata, pasi vlerësoi edhe pyetjet e propozuara nga palët, ka çmuar të nevojshme të parashtrojë pyetjet e mëposhtme për të sqaruar aspektet kryesore të këtij gjykimi:

Pyetja nr. 1 A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?
Pyetja nr. 2 Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?
Pyetja nr. 3 Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?