Rajoni

Zgjedhjet në 14 komuna të Malit të Zi, fitojnë partitë pro-serbe!

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore në 14 komuna në Mal të Zi, tregojnë për një fitore të forcave politike pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat fituan edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. Pavarësisht se më shumë vota fitoi koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, në një koalicion të mundshëm, “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe partia e themeluar kohët e fundit, “Evropa Tani”, mund të ushtrojnë pushtetin në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë.

Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT), edhe pse partia pro-evropiane e presidentit Gjukanoviç grumbulloi më shumë vota në disa qytete, për shkak të mungesës së koalicioneve të mundshme paszgjedhor, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tyre politikë.

Përveç Podgoricës, Partia Demokratike Socialiste me aleatët e vet humbi Danilovgradin, Kolashinin, Zhablakun, Plevlen, por ia doli të ruajë drejtimin në Bijelo Pole e Tivar. Ndërkaq, Fronti Demokratik pro-serb arriti ta ruajë pushtetin absolut në qytetin bregdetar, Budva. Këto zgjedhje u vlerësuan si shumë të rëndësishme pasi gara u zhvillua mes dy grupimeve politike që prej vitesh kanë dominuar në Mal të Zi.

Në njërën anë ishin partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, që mbi 30 vite e kanë mbajtur pushtetin në Malin e Zi dhe në anën tjetër ishin partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb e pro-rus.

Zgjedhjet e djeshme u mbajtën në kulmin e krizës politike në vendin fqinj, kur qeveria në largim e kryeministrit Dritan Abazoviç humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re. Kështu që këto zgjedhje janë edhe një test për votimet e ardhshme parlamentare në Malin e Zi. Zgjedhjet vendore u zhvilluan në 14 komuna në Mal të Zi dhe sipas vëzhguesve që bënë monitorimin në terren, procesi zgjedhor ishte mjaft i qetë e demokratik.