Bota

Zgjedhjet në Amerikë, në “fije të perit” fati i aspiratave politike të presidentit Biden!

Fati i aspiratave politike të presidentit Biden për pjesën e mbetur të mandatit, varet në fije të perit, ndërsa vendi pret rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit që do të përcaktojnë se cila parti politike kontrollon Kongresin për dy vitet e ardhshme. Në disa shtete, gara për Senatin duket shumë e ngushtë dhe në disa të tjera drejtuesit aktualë po ecin mirë. Zyrtarët zgjedhorë paralajmëruan se mund të duhen ditë përpara se rezultatet të jenë përfundimtare.

Republikanët duket se do të kenë më pak vende nga ç’prisnin në Dhomën e Përfaqësuesve, por mund të fitojnë mjaftueshëm për të marrë kontrollin e saj. Të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve janë në garë sikurse edhe 35 nga 100 vendet në Senat, që aktualisht është i ndarë mes demokratëve e republikanëve, me zv.presidenten Kamala Harris, vota e së cilës është përcaktuese. Republikanët duhet të marrin vetëm një vend për të siguruar shumicën.

Mbi 45 milion persona votuan përmes votimit të hershëm dhe disa analistë sugjerojnë se numri i përgjithshëm do t’ia kalojë totalit prej 115 milionësh që pati në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.

Dy shtete bënë historinë. Merilendi zgjodhi guvernatorin e parë me ngjyrë, demokratin Wes Moore. Masaçusets do të ketë guvernatoren e parë femër dhe të parën shefe ekzekutive lesbike, Maura Healey, gjithashtu një demokrate.

Në Arkansas, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë në kohën e presidentit Donald Trump, Sarah Huckabee Sanders, një republikane, u zgjodh guvernatore. Babai i saj, Mike Huckabee, shërbeu si guvernator i shtetit për një dekadë.

Në një nga garat kryesore, atë për guvernatorin e Floridas, u rizgjodh me lehtësi guvernatori republikan Ron DeSantis. Disa republikanë po e nxisin DeSantisin të kandidojë përballë ish-presidentit Donald Trump për të kandiduar për president në vitin 2024 dhe ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për në Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarët në dy shtete të kontrolluara nga republikanët, Misuri dhe Florida, refuzuan të lejojnë zyrtarët e Departamentit Federal të Drejtësisë brenda qendrave të votimit, duke vënë në dyshim autoritetin e Departamentit të Drejtësisë për të pasur vëzhgues brenda zonave.