Bota

Zgjedhjet në Gjermani, Laschet: Rezultatet e para janë të hidhura. Scholz: Qytetarët më duan si kancelar

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Gjermani, tregojnë një nivel jo të mirë për partinë e Angela Merkel, ku kandidon Armin Laschet.

Mediat gjermane e kanë cilësuar rezultatin e exit-polleve të para, si më të ulëtat në historinë e kësaj partie.

Sipas tyre, kjo vjen për shkak të largimit të Angela Merkelit. Sekretari i përgjithshëm i partisë i ka cilësuar të hidhura rezultatet paraprake.

Në një konferencë për mediat pas votimeve, Armin Laschet ka pranuar se rezultatet e para nuk janë të mira.

Ne e dinim që gara do të ishte e ngushtë. Do të jetë një natë e gjatë. Të gjitha partitë duhet që t’i kalojnë ndasitë e tyre për të mirën e Gjermanisë – është shprehur Laschet.

Sipas exit-polleve të publikuara nga mediat gjermane deri më tani, Laschet i CDU-CSU kryeson me 25-26% të votave ndërkohë që partia socialdemokrate, SPD mbetet në kuotat e 25%.

Ndërsa kreu i partisë socialdemokrate në Gjermani, Olaf Scholz shfaqet i gëzuar për rezultatet paraprake të zgjedhjeve, ndryshe nga kundërshtari i tij politik, Armin Laschet.

Pas publikimit të exit-polleve të para, Scholz falenderon qytetarët që e kanë mbështetur përmes votës duke e përshkruar rezultatin si sukses të madh.

“Unë jam i kënaqur që qytetarët e këtij vendi kanë votuar ashtu siç kanë votuar, se partia jonë po ecën në një rrugë të mirë” – thotë Scholz.

Sipas tij, rezultatet paraprake nga exit-pollet, tregojnë se votuesit e duan atë si kancelar të ardhshëm.

Udhëheqësi i qendrës së majtë tha se partia e tij kishte treguar se çfarë duhet për të qeverisur një vend. Ata, natyrisht, kanë qenë në koalicion me partinë e Angela Merkel prej vitesh.