Aktualitet Politikë

Zgjedhjet në Himarë, policia dorëzoi qendrat e votimit!

Ndërsa sot Himara voton për të zgjedhur kryebashkiakun e ri mes Vangjel Tavos e Petro Gjikurisë, respektivisht kandidatë të PS-së dhe opozitës, përfundoi dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme nga Policia e Shtetit.

Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem. Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse.

Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë.

23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur t’i drejtohen kutive për të zgjedhur mes dy kandidatëve. Janë 36 qendra, por në dy prej tyre në fshatin Kuç ende nuk ka nisur votimi që zyrtarisht zhvillohet në orarin 07:00-19:00. Ndërkaq, në Himarë Fshat, komisionerët pezulluan votimin duke kërkuar të votohet me karta të skaduara.

Materialet zgjedhore shkuan në Himarë dy ditë më parë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ bëri shpërndarjen e tyre në orët e para të mëngjesit, që qendrat e votimit të ishin gati në orarin e caktuar për t’u hapur.

Në Himarë aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat monitorohen me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë dhe numërimi i votave. Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës ndërsa KQZ-ja i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallën brenda pak orëve, në një koordinim vendimesh mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, Kryeministrisë e Presidentit të Republikës, procedura që u kontestuan në gjykatë nga Fredi Beleri. Ky i fundit kërkoi rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve se sipas tij, ende nuk kishte kaluar afati i ankimit të vendimit të KQZ-së, por kërkesa e bërë nuk u pranua duke iu rrëzuar nga Gjykata Administrative e Tiranës.