Zgjedhjet për kreun e Bashkisë Himarë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se procesi teknik po kalon pa shqetësime. Në një postim në rrjetet sociale, shkruan:
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika. Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Ndërsa sot Himara voton për të zgjedhur kryebashkiakun e ri mes socialistit Vangjel Tavo e Petro Gjikurisë, kandidatit opozitar, përfundoi dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi, të marra në ruajtje nga Policia e Shtetit që prej mbrëmjes së djeshme. Nuk u raportuan probleme.
Deri në orën 09:00, pjesëmarrja e zgjedhësve ishte në nivelin 6.39%. Ndërkaq, nuk u lejua votimi për 100 zgjedhës me karta identiteti të skaduara në Himarë Fshat. 23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur t’i drejtohen kutive për të zgjedhur mes dy kandidatëve Tavo e Gjikuria në Himarë.
Në Himarë aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat monitorohen me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë dhe numërimi i votave. Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës ndërsa KQZ-ja i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallën brenda pak orëve, në një koordinim vendimesh mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, Kryeministrisë e Presidentit të Republikës, procedura që u kontestuan në gjykatë nga Fredi Beleri. Ky i fundit kërkoi rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve se sipas tij, ende nuk kishte kaluar afati i ankimit të vendimit të KQZ-së, por kërkesa e bërë nuk u pranua duke iu rrëzuar nga Gjykata Administrative e Tiranës.
Me zgjedhjet e ditës së sotme dhe shpalljen e rezultatit të tyre pritet t’i jepet fund paqartësive lidhur me drejtimin e që do t’i besohet një emri mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë.