Bota

Zgjedhjet në Izrael, Benjamin Netanyahu drejt rikthimit në pushtet!

Atë që synoi duket se po e përmbush me sukses! Sipas sondazheve, ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është në rrugën drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare, të zhvilluara një ditë më parë në Izrael. Rezultatet tregojnë se blloku i tij i krahut të djathtë ka siguruar një shumicë të thjeshtë në Parlament, përballë rivalëve. Analistët e çështjeve politike flasin për një kthim dramatik të Netanyahut, i rrëzuar vitin e kaluar nga pushteti, pasi drejtoi qeverinë për plot 12 vite. Mbështetësve në Jerusalem, iu tha:

Jemi afër fitores së madhe!

Kësaj here, votimet kishin për protagonist ish-kryeministrin, për të parë nëse rikthehet apo jo Netanyahu. Rezultatet zyrtare, që mund të prodhojnë një tjetër rezultat, pritet të bëhen publike në orët në vijim. Rivali i tij kryesor, kryeministri aktual, Yair Lapid, u mjaftua me fjalinë se “asgjë” nuk është vendosur ende.

Ndërkohë, sa i përket Netanyahu-t, 73-vjeçari njihet si një prej figurave politike më kontroverse në Izrael, i cili kritikohet nga politikanët e qendrës, por ka një bazë të madhe të mbështetësve besnikë në partinë e tij, Likud. Gjithashtu, ai është përkrahës i flaktë i projektit të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të pushtuar në luftën e vitit 1967. Në atë pjesë, vendbanimet konsideron të paligjshme, sipas ligjit ndërkombëtar, vetëm se Izraeli nuk e pranon këtë qëndrim.

Netanyahu kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, si zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, formulë e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Po ashtu, nuk duhet harruar se Netanyahu është duke u gjykuar nën akuzat për korrupsion e mashtrime, të cilat i hedh poshtë si të pavërteta.
Partnerët e tij të mundshëm në koalicionin qeverisës kanë thënë se do të reformojnë sistemin e drejtësisë, hap që do të mund t’iu jepte fund procedurave gjyqësore kundër ish-shefit të qeverisë.