Aktualitet Politikë

Zgjedhjet për drejtimin e PD-së, ja kë nxjerr fitues sondazhi i TAR!

Partia Demokratike zgjedh nesër drejtuesin në një garë mes katër emrave. Lulzim Basha i cili kryefjalë të takimeve me demokratë pati përballjen me atë që e cilëson “masakër zgjedhore” të 25 prillit, kërkon një tjetër mandat në krye të Selisë Blu.

Basha rivalizohet nga Agron Shehaj, i zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, si dhe nga Edith Harxhi e Fatbardh Kadilli.

Me pyetjen se kush duhet të fitojë zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, në faqen zyrtare të Top Albania Radio-s u hap një sondazh ku për 8 ditë u votuan të preferuarit. Me 69%, më i mbështeturi rezultoi Agron Shehaj, i ndjekur nga Lulzim Basha me 16. Ndërkaq, 9% shprehën pëlqimin për Edith Harxhin e vetëm 6% për Fatbardh Kadillin.

Në fushatat e tyre, Harxhi e Kadilli kërkuan një Parti Demokratike të Bashkuar, përmes një strukture të re organizimi dhe duke kthyer në parti, njerëzit me kontribute në forcën politike që qëndron në opozitë prej 8 vitesh e do të vazhdojë të jetë pas humbjes më 25 prill. Ndërkaq, fushatën për ta bindur anëtarësinë ta mbështesë, Agron Shehaj e zhvilloi me moton: “PD-Partia që fiton!” e kërkoi ngritjen e një sistemi elektronik votimi.

Nesër të drejtën e votës e kanë mbi 75 mijë anëtarë të PD-së në 76 qendra votimi në të gjithë vendin. Listat e tyre u bënë dje publike, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetarë.

Votën e hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie por jo demokratët që ndonëse anëtarë të Selisë Blu, sipas kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana “u angazhuan haptazi në fushatë për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit”.

Sot është heshtje zgjedhore para votimit për të mësuar emrin e fituesit të Partisë Demokratike, në votimet që pasojnë zgjedhjet e 25 prillit e ku në krye të koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim nuk siguroi më shumë se 59 mandate në Kuvendin me 140 deputetë.