Politikë

Zgjedhjet për kreun e PD, voton Shkëlzen Berisha, ja sa është pjesëmarrja deri në 15:00

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ka votuar pasditen e sotme në zgjedhjet që po zhvillohen për kreun e ri të Partisë Demokratike.

Djali i ish kryeministrit Berisha ka votuar në qendrën e votimit që ndodhet në degën numër dy, të vendosur në selinë blu. Pak orë më parë po në këtë qendër votoi dhe babai i tij Sali Berisha, që garon përball Ibsen Elezit për postin e kryetarit të PD.

Deri në orën 15:00 kanë votuar për kreun e ri të PD 31950 anëtarë. Ky është njoftimi më i fundit zyrtar nga Komisioni i Rithemelimit që organizon edhe zgjedhjet. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njoftoi se procesi po vijon i qetë në të gjitha Qendrat e Votimit.

“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton që pjesëmarrja në votime për Kryetar të PDSH deri në orën 15.00, sipas qarqeve, pasqyrohet në tabelën bashkengjitur. Procesi po vijon i qetë në të gjitha Qendrat e Votimit. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të bëhen pjesë e procesit”, njofton Rithemelimi.

Në të gjithë vendin janë 108 qendra votimi ku demokratët u thirrën të shprehin vullnetin me votë, deri në mbrëmje në orën 20:00.