Bota

Zgjedhjet presidenciale në Itali, Silvio Berlusconi synon Presidencën!

Pas tre ditësh, Italia zhvillon zgjedhjet presidenciale dhe po bëhet gati të zgjedhë Presidentin e ri duke synuar nxitjen e unitetit, pas grindjeve politike në vendin fqinj. Ish-kryeministri Silvio Berlusconi mendon se është i përshtatshëm për këtë post.

Manjat i medias, miliarder e tre herë kryeministër i Italisë, Berlusconi, i cili hyri në politikë gati 30 vjet më parë, kërkon t’i shtojë karrierës së tij edhe detyrën e kryetarit të shtetit e nuk dihet nëse do t’ia dalë, marrë parasysh problemet me ligjin në të kaluarën.

I dënuar për mashtrim me tatimet u përjashtua nga Senati ndërsa kohë më parë akuzohej se ka paguar për shërbime seksuale me një vajzë të mitur. Sa i përket festave të organizuara prej tij me të reja, ish-shefi i qeverisë së Romës do të shprehej se “nuk është shenjtor”.

Tashmë, prej javësh po lobon te ligjvënësit italianë të qendrës së djathtë, për të siguruar votat e tyre që të hënën të zgjidhet president, për një mandat katërvjeçar. Kryetari aktual i shtetit, Sergio Mattarella, mandati i të cilit përfundon më 3 shkurt, vazhdimisht e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të kandidojë përsëri për president.

Në Itali, deputetët, senatorët dhe përfaqësuesit e 20 rajoneve, zgjedhin Presidentin e Republikës. Për të fituar, një kandidati i duhen dy të tretat e votave në tre raundet e para të votimit. Në të katërtin, një shumicë e thjeshtë është e mjaftueshme.

Ish-kryeministri Enrico Letta, i cili kryeson Partinë Demokratike, kritikoi vendimin e qendrës së djathtë për të mbështetur Berlusconin, pasi e konsideron “një zgjedhje thellësisht të gabuar”.

Çdo lider politik është përçarës, por kur mendojmë për Silvio Berlusconin, në historinë e këtyre 25 vjetëve, e vështirë të gjesh për një shef politik më përçarës se ai.

Vitet e fundit, Silvio Berlusconi ka kaluar disa probleme shëndetësore, kryesisht me zemrën. Gjithashtu qëndroi i shtruar në spital kur i infektua me koronavirus.