Rajoni

Zgjedhjet vendore në Kosovë, hapen të gjitha vendvotimet!

Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet lokale. 1 milion e 885 mijë e 448 persona me të drejtë vote janë thirrur të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë në 38 komuna. Në të parën dalje për mediat sot, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi njoftoi se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet, si dhe ftoi qytetarët me të drejtë vote, të votojnë e ta shfrytëzojnë të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal. Nuk dihet numri i personave të infektuar me COVID që kanë bërë kërkesë të votojnë sot. Mbi 41 mijë vetë votojnë për herë të parë.

Numri i vendvotimeve është 2 mijë e 477, në total. Janë 166 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5 mijë e 198 kandidatë për asambletë komunale.

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani kërkoi pjesëmarrje të lartë në votime!

Sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër COVID-19.

I priftë e mbara Republikës sonë!

Kryeministri Albin Kurti kishte një thirrje për qytetarët, duke i nxitur të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Kurti theksoi se si drejtues i Qeverisë do të punojë për fuqizimin e komunave. Apel për pjesëmarrje në zgjedhje bëri edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Drejtuesit e komunave kanë rëndësi. Pavarësisht nëse i jepni përparësi shkollave, punimeve në rrugë, transportit publik, grumbullimit të mbetjeve ose projekteve të tjera, vendimet e tyre ndikojnë në cilësinë e jetës suaj. Mos e humbisni rastin për të bërë të njohur zërin tuaj!

https://twitter.com/USEmbPristina/status/1449617982729170946?ref_src=twsrc%5Etfw&ref_url=https%3A%2F%2Findeksonline.net%2Fambasada-amerikane-thirrje-qytetareve-per-dalje-ne-zgjedhje-mos-e-humbisni-rastin-per-te-bere-te-njohur-zerin-tuaj

Lista Serbe është partia e vetme serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet që zhvillohen atje, merr pjesë me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Pjesëtarë të këtij subjekti janë parë sot duke u nisur për të votuar në Mitrovicën e Veriut. Mes tyre ka punonjës të institucioneve që financohen nga Serbia, nga sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe të tjerë. Votimi i organizuar në Mitrovicën e Veriut është kthyer në diçka të zakonshme në zgjedhjet e Kosovës. Në ato të 2017-ës, Lista Serbe fitoi 10 komuna ndërsa Vetëvendosja që tani është në pushtet, vetëm tre, por pati siguruar Prishtinën, ndonëse më pas kryetari Shpend Ahmeti u largua nga partia e Albin Kurtit.

Demokracia në Veprim, rrjeti i organizatave që merret me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, konstatoi se fushata elektorale ishte e qetë. Një pjesë e saj u zhvendos në rrjetet sociale për shkak të kufizimeve të pandemisë, por konstatoi se masat anti-COVID nuk u respektuan. Ndërkaq, Demokracia në Veprim përmendi mungesën e transparencës me fondet e ndara për fushatë.