Rajoni

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Sofjen, Shkupi pret propozim të ri francez deri më 30 qershor!

Pas refuzimit që Shkupi zyrtar i bëri propozimit francez si “të papranueshëm” për vendin, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tregon se ende ka një mundësi, edhe pse koha nuk premton. Deri më 30 qershor, datën kur Franca mbyll kryesimin e radhës së BE-së për t’ia kaluar stafetën Çekisë, Maqedonia e Veriut pret propozim të ri nga Parisi zyrtar, që dokumenti të shqyrtohet me kujdes nga institucionet në Shkup.

Presidenca franceze zgjat deri më 30 qershor. Kjo do të thotë se ditët në vijim, nëse vendosin për një propozim të ri, në përputhje me qëndrimet e të dyja palëve, tashmë të bëra publike, jemi këtu për ta vlerësuar. Nëse ka një propozim do të konsultohen institucionet përkatëse e do të marrim një vendim. Absolutisht, nuk do të udhëhiqemi nga sulme hibride, nga politikanë të zhgënjyer që mendojnë se mund ta rikthejnë karrierën në valën e disponimit publik.

Një ditë më parë, Parlamenti i Bullgarisë i dha dritën jeshile qeverisë, për të miratuar kuadrin negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë hoqi veton e vënë në vitin 2020, duke mos lejuar hapjen e negociatave për Shkupin, me të cilin përplaset për çështje të historisë dhe gjuhës. Për pasojë po bllokohet edhe Shqipëria, pasi Unioni nuk e ndan nga Maqedonia e Veriut.

Ligjvënësit bullgarë votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton, pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit te negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese e do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

Sipas tyre, kuadri negociues nuk duhet të ketë ndonjë referencë që mund të sugjerojë se Bullgaria njeh gjuhën maqedonase. Nga pala bullgare, kompromisi francez u cilësua si “oferta më e mirë që kanë marrë deri tani”.

Por, nuk u pranua nga Shkupi. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se “çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese”.

Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të nisin para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese mbi përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE-ja dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja!