Botë e Çuditshme Tech

Zhvillohet dora robotike për personat me aftësi të kufizuar!

Robotët në të ardhmen do të mund të ishin kujdestarë të përkryer, falë zhvillimit të vazhdueshëm të teknologjisë që po ua përmirëson jetën të moshuarve sikurse edhe atyre me aftësi të kufizuar. Shembull i mirë i një projekti të tillë vjen nga Universiteti Cornell, ku prapa tij qëndron shkencëtari Tapomayukh Bhattacharjee.

Ai po zhvillon dorën robotike, që do të ndihmojë të ushqejë personat që kanë pësuar lëndime në boshtin kurrizor. Ky shkencëtar beson se robotët kanë potencial të transformohen në kujdestar të shkëlqyer, duke ushqyer njerëzit sa herë që ata kanë nevojë. Së fundmi është miratuar granti prej 1.5 milion dollarë në laboratorin EmPRISE në krye të cilit është Bhattacharjee, i cili duhet të vazhdojë punën dhe të gjejë zgjidhje për njerëzit me aftësi të kufizuar.

Së bashku me një ekip bashkëpunëtorësh Bhattacharjee po zhvillon algoritme që do t’i mundësojnë duarve robotike që në mënyrë tejet të sigurtë të ushqejnë njerëzit, në veçanti kur ata nuk mund të lëvizin apo marrin ushqimin nga dora robotike.

Rikujtojmë, se një robot i ri, i quajtur Beomni 1.0, pritet të kryejë shumë detyra, si të hapë shishet, t’i hedhë kripë ushqimit dhe madje të bëjë edhe injeksione me gjilpërë, si të ishte një infermier i vërtetë. Ai është gjithashtu në gjendje që të mbajë pesha deri në 30 kilogramë.

Edhe pse versioni fillestar është i kontrolluar nga njerëzit nga distanca, truri artificial i robotit është programuar që të mësojë të kryejë në mënyrë të pavarur këto detyra. Beomni është testuar me sukses në një shtëpi për të moshuarit në Kolorado, SHBA, kur për tri ditë u mati temperaturën, u kontrolloi grykët dhe madje edhe kërceu me disa nga pacientët për t’i lumturuar.