Sport

Zi në futbollin anglez, shuhet i madhi Jimmy Greaves!

Shuhet në moshën 81-vjeçare Jimmy Greaves, një prej sulmuesve më të mëdhenj të Anglisë, pjesë e skuadrës që në vitin 1966 fitoi Kupën e Botës në Futboll. Siç njofton Tottenham, klubi për të cilin ka luajtur, Jimmy mbylli sytë sot në mëngjes, në shtëpinë e tij në Danbury.

Me shumë hidhërim mësuam vdekjen e të madhit Jimmy Geavers, jo vetëm golashënues rekord i Tottenham Hotspur, por edhe një prej më të mirëve në vend.

Greaves njihet gjerësisht si një prej golashënuesve më të talentuar të brezit të tij. Përpara kalimit te Spurs-at ku realizoi 266 gola në 379 ndeshje, ai ishte pjesë e Chelsea-t, skuadër për të cilën shënoi 132 gola në 169 takime mes viteve 1957-1961. Po ashtu luajti për Milanin në Itali e West Ham United. I madh kontributi i tij edhe për Anglinë ku mban firmën e 44 golave në 57 pjesëmarrje.

Tekniku anglez, Gareth Southgate bëri të ditur se do të nderojnë kujtimin e Jimmy-t kur muajin e ardhshëm të luajnë me Hungarinë në Stadiumin Wembley.

Padyshim që Jimmy meriton të përfshihet në listën e futbollistëve më të spikatur të Anglisë, si një prej golashënuesve më të mirë, pjesë e suksesit të Kupës së Botës në vitin 1966. Asnjëherë nuk do të harrohet vendi i tij në historinë tonë.

Vetëm 1.72 i gjatë, befasonte me kërcimet dhe shquhej për aftësinë që të gjente hapësirë mes mbrojtësve e të shumtë e përkufizonin si gjeni. Në shkurt të vitit 2012, Greaves iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të ngushtimit të një arterieje në qafë, por në maj të 2015-ës pësoi një goditje të rëndë në tru që e la në pamundësi për të folur e për të ecur.