Bota

Zjarr në Bangladesh, 38 viktima!

Një zjarr masiv në një depo kontenierësh pranë një qyteti port në Bangladeshin juglindor vrau të paktën 38 njerëz dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë. Zjarri në BM Inland Container Depot, një ndërmarrje e përbashkët me pronarë nga Holanda dhe Bangladeshi, u aktivizua rreth mesnate, pas shpërthimeve në një kontenier të mbushur me kimikate. Mjedisi i përfshirë nga flakët ndodhet pranë portit detar kryesor të vendit Chittagong, 216 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Dhaka.

Të paktën pesë zjarrfikës ishin në mesin e viktimave, sipas raportimeve të gjeneralit Main Uddin, drejtor i përgjithshëm i shërbimit të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile të Bangladeshit.

15 zjarrfikës të tjerë po trajtohen për djegie. Shpërthime të shumta ndodhën pas atij fillestar ndërsa zjarri vazhdoi të përhapej.

Ekspertët e eksplozivëve nga ushtria e Bangladeshit janë thirrur për të ndihmuar zjarrfikësit. Shpërthimet thyen xhamat e ndërtesave në zonën pranë dhe u ndjenë deri në 4 kilometra distancë. Zjarrfikësit ende po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin

Kryeministri Sheikh Hasina u shpreh i tronditur nga ngjarja që duket aksidentale dhe urdhëroi të merren masat e duhura për trajtimin mjekësor të të lënduarve.  Bangladeshi ka një histori katastrofash industriale, duke përfshirë fabrikat që marrin flakë me punëtorë të bllokuar brenda. Kompani globale që punësojnë qindra mijëra punëtorë me pagesë të ulët në Bangladesh, kritikohen vazhdimisht për pagat e kushtet e punës.

Në industrinë gjigante të veshjeve që prodhohen në Bangladesh dhe që punëson rreth 4 milion njerëz, kushtet e sigurisë janë përmirësuar ndjeshëm pas reformave të mëdha, por ekspertët thonë se aksidentet mund të ndodhin sërish, nëse sektorët e tjerë nuk bëjnë ndryshime të ngjashme në këtë shtet të Azisë jugore.