Bota

Zjarr në një klinikë psikiatrie në Japoni, 27 viktima!

Zjarr në një klinikë psikiatrie në qytetin japonez Osaka, 27 persona humbën jetën, ndërsa policia tha se po heton për zjarrvënie të mundshme. Zjarri shpërtheu në katin e katërt të një ndërtese me zyra, në një lagje të ngarkuar të qytetit perëndimor. Sipas mediave japoneze që citojnë burime të afërta me hetimet, një burrë që dukej rreth të 60-tave është parë duke mbajtur një çantë nga ku po rridhte një lëndë e lëngshme në zonën e pritjes së klinikës, përpara se të shpërthenin flakët.

Zjarri u shua brenda 30 minutash. Pamjet treguan tymin që dilte nga dritaret e katit të katërt, si dhe nga çatia. Për Kyodo News, një dëshmitare nga terreni që punon në një zyrë aty pranë, deklaroi:

Kur hodha vështrimin jashtë, pashë flakë portokalli në dritaren e katit të katërt të ndërtesës. Një grua tundte duart për të kërkuar ndihmë nga dritarja e katit të gjashtë.

E vendosur në një lagje jo larg stacionit kryesor të trenit në Osaka, gjithashtu në godinë gjendet një sallon bukurie, një dyqan veshjesh dhe një shkollë të gjuhës angleze.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, shprehu ngushëllime dhe tha se “autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit”. Në vitin 2019, Japonia u prek nga tragjedia më e madhe nga Lufta e Dytë Botërore. Një person i vuri flakën një studioje kinematografike në Kioto e 36 persona humbën jetën.