Aktualitet

Zjarret në Sazan, reagon kryeministri Rama!

Kryeministri Rama reagon për zjarrin në ishullin e Sazanit, duke theksuar se është situatë që ndodh në shumë vende kur ka raste të zjarreve.

Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…

Ministria e Mbrojtjes informoi sot se Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.

FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave. Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt. Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh.

Në Greqi, zjarre intesive janë regjistruar në zonën e Artemidës, në periferinë lindore të Athinës. Sipas burimeve në terren, zjarri është lokalizuar në afërsi të shtëpive dhe ka rënë pak para orës 12:30, në kryqëzimin e rrugëve Makedonomakon e Nikitara. Forca të shumta të mbrojtjes civile po koordinohen për kontrollin e situatës. Flakët u zhvendosën lart, drejt një kodre të Artemidës e disa shtëpi janë kërcënuar. Nuk raportohen të plagosur.