Aktualitet

Zjarret në vend, vatra aktive kryesisht në veri!

Në përditësimin më të fundit sa i përket situatës së zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se disa vatra ende janë aktive, kryesisht në veri.

Gjendja paraqitet e normalizuar në Malin e Tërbunit në Pukë, ku vazhdojnë të punojnë mbi 50 efektivë të ushtrisë.

Në fshatin Flet të Fushë Arrëzit, rreth 100 pjesëtarë të Forcave të Armatosura e nga pushteti vendor po luftojnë me flakët. Ndërkaq, u ndërprenë fluturimet e helikopterit holandez, për shkak të telave elektrikë që janë shumë lart.

Në Dardhë të Pukës, po punohet për të izoluar zjarrin që në Kryezi po të Pukës, u vu nën kontroll.

Era ndikoi në përhapjen e flakëve në Patalej të Lezhës. Në këtë fshat janë djegur rreth 15 hektarë shkurre e pemë e për momentin, nuk rrezikohen banesa. Por ekziston rreziku që zjarri të zgjerohet drejt Lalmit e Katundit të Vjetër, ky i fundit, fshat i Mirditës. Një helikopter çek nisi ndërhyrjen nga ajri dhe më pas do të jenë forcat ushtarake e bashkiake që pritet të bëjnë krehjen e perimetrit të vatrës, me qëllim izolimin e plotë.

Po në veri, përkeqësim ka në fshatin Thirrë të Mirditës, si pasojë e erës. Deri tani, flakët kanë përshkuar rreth 220 hektarë ah, pisha, barishte e dushk, si dhe u dogjën 140 hektarë kullota. E pamundur që vatra të kontrollohet vetëm nga toka, ndaj në mbështetje të forcave ushtarake e të pushtetit vendor, shkoi helikopteri holandez.

Në Kukës, flakët në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, mbeten problematike. Terreni i vështirë ndërlikon izolimin e vatrave.

Në Dibër, nuk paraqitet rrezik për banesat dhe po vijon puna për mbajtjen nën kontroll të zjarrit në Qafë Murrë, që ka kaluar në një terren shkëmbor e me bimësi të pakët.

Por në fshatin Kaçni po në Dibër, flakët po zhvillohen me ritëm të shtuar dhe kanë dalë jashtë kontrolli, duke u afruar në masivin me pisha në territorin e Bashkisë Klos. Me intensitet mesatar, zjarri po përhapet në zonë pyjore, duke përfshirë rreth 20 ha.