Bota

Zjarret vazhdojnë të djegin Greqinë e Italinë!

Në Greqi, ende ka xhepa të vegjël zjarresh në zonat e qytetit antik të Olimpias, në Ilia dhe në Peloponezin Perëndimor. Zjarrfikësit janë fokusuar në një rajon mes Lasdikas, Milies e Kryonerit. Në ndihmë të tyre, shkojnë sot edhe kolegë austriakë.

Zjarret u riaktivizuan përgjatë bregdetit të Evias Veriore, nga Agia Anna në Agriovotano. Në terren ka probleme të pompimit të ujit pasi disa fshatra vuajnë mungesën e energjisë elektrike, ndaj ujësjellësat e tyre nuk funksionojnë. Krahas zjarrfikësve, me flakët po luftojnë gjithashtu, qindra ushtarë.

Në Itali, zjarret kanë gllabëruar hektarë me pyje në Kalabri, Siçili, Sardenjë e Kampania duke shkaktuar edhe tre viktima orët e fundit. Këto rajone i kërkojnë qeverisë, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Të shumta janë kërkesat drejtuar Qendrës së Unifikuar të Operacioneve Ajrore të Departamentit të Mbrojtjes Civile për ndërhyrje nga ajri që të shuhen zjarret, që janë kthyer në emergjencë.

Vendi fqinj po digjet nga temperaturat e larta, aq sa dje në Sirakuza të Siçilisë, termometri shënoi 48.8 gradë celcius, rekord jo vetëm për Italinë, por edhe të gjithë Europën.

Valën e të nxehtit, sinoptikanët e lidhin me një anticiklon subtropikal afrikan. Temperatura të larta, u regjistruan edhe në Romë, Firence e Bolonjë. Deri më 15 gusht nuk priten ndryshime.