Aktualitet

Zjarri në fabrikën e plastikës, flakët vendosen nën kontroll

Forcat zjarrfikëse kanë arritur të vendosin nën kontroll zjarrin masiv, i cili përfshiu një fabrikë në qytetin e Elbasanit.

Sipas Emirjon Sotas, shef i shërbimit zjarrfikës në Elbasan, zjarri në Fabrikën e prodhimeve të plastikës në Ish-Kombinatin Metalurgjik ka rënë në mesditë, në pjesën e jashtme të fabrikës, por me ndërhyrjen e shpejtë, u shua në kohë rekord.

Në operacion morën pjesë 10 automjete zjarrfikëse nga bashkitë e Qarkut Elbasan dhe nga Ministria e Mbrojtjes. Rreth 40 efektivë zjarrfikës, të cilët bënë të munduar shuarjen. Nga ky zjarr nuk ka asnjë të lënduar. Paraprakisht shkaku dyshohet aksidental”, u shpreh Sota.

Ndërkohë kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja i cili ishte në vendngjarje i përgëzoi punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe u shprehu mirënjohjen e tij për sakrificën dhe punën mjaft të rrezikshme që përballuan deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarrit.