Aktualitet

Zjarri në Shkodër u shua, por tregtarët me lot në sy: S’kemi të ardhura të tjera!

Pas shuarjes së zjarrit të rënë mbrëmë në tregun e rrobave të përdorura në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër, flakët që përpinë njësitë tregtare dhe u përhapën në banesat aty pranë duke djegur 5 prej tyre, lanë pas shkatërrimin e dëmin e konsiderueshëm financiar për ata që siguronin jetesën duke shitur.

Një tregtar 56-vjeçar, të cilit i gjithë malli iu dogj, pyet edhe se kush do ta punësojë atë pasi është 56 vjeç?

S’kam koment, për Zotin! Jam shumë i mërzitur me thënë të drejtën. Kam 22 vite këtu. Me këtë punë kam mbajtur të gjithë familjen, çfarë burimi të kem unë tjetër? Asgjë në botë. Kam tregtuar rroba të përdorura. Vetëm unë kam pasur të paktën 30 thasë mall, 7-8 thasë i kam patur në banak, të tjerat i kam patur këtu stoqe. Tani do bëjmë çfarë të thotë bashkia, jemi në rrugë të madhe, unë jam 56 vjeç, kush më merr mua në punë? Veç me u lodh kot.

Me lot në sy, tregtarët tregojnë se nga kjo punë nxirrnin bukën e gojës e se nuk kanë të ardhura të tjera.

Tregtarja 1: Kam qenë tregtare prej 22 vitesh, e kemi pasur këtu bukën e gojës, çfarë të bëjmë… (preket). Shansi jonë që nuk kemi qenë duke punuar dhe na ka shpëtuar Zoti në këtë ditë sepse është mall industrial, ka patur gjithçka aty. Këpucë, rroba të ndryshme, na është djegur shumë mall, kishim marrë dhe mall për dimër që ta kishim në shtator. Jemi nja 70-80 tregtarë. Kemi paguar qira çdo muaj, ka qenë treg i licencuar. Ky ka qenë rasti i parë i zjarrit.

Tregtarja 2: Kam që 10 vite këtu, kemi nxjerrë bukën e gojës këtu. Nuk kishim burim tjetër financiar përveçse kësaj pune këtu. Tani jemi në dorë të Zotit, të na shohë shteti, të bëhet diçka! Kur më mori një shoqe në telefon, kishte mbaruar çdo gjë.

Bashkia Shkodër raportoi se në terren u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse nga reparti i Shkodrës dhe zonat e tjera, së bashku me 110 efektivë zjarrfikës. Përveç kësaj, u mobilizuan 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe tre autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës. Në përpjekje për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, u përfshinë edhe 110 punonjës të Bashkisë Shkodër e 30 efektivë të Repartit Ushtarak të Vaut të Dejës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, helikopteri Cougar dhe një grup efektivësh të Forcave të Armatosura iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafë Hardhi. Pas thuajse 5 orësh në luftë me flakët, u arrit të shuheshin dhe pa asnjë rrezik.