Aktualitet

Zjarrvënie të qëllimshme në Vlorë, dyqan e makina në flakë!

Dy zjarre ranë në orët e para të mëngjesit në Vlorë, duke përfshirë një dyqan me mallra industriale dhe makina. Një 39-vjeçar u identifikua dhe u shpall në kërkim nga policia pasi dyshohet se i vuri zjarrin një dyqani në lagjen Muradie, në pronësi të shtetasit Faraudin Veizajt e më pas tentoi t’i djegë makinën tip “Toyota” të parkuar në zonën e Ujit të Ftohtë.

Po ashtu, rreth orës 02:00 të mëngjesit, në lagjen “24 Maji” të Vlorës ra zjarr dhe u dogjën tre automjete të parkuara, në pronësi të tre shtetasve me inicialet D.S, Z.K dhe Y.I. Nga flakët u shkrumbuan dy furgona mallrash dhe një makinë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes e përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

I vuri zjarrin një dyqani dhe tentoi të digjte edhe një automjet në pronësi të të njëjtit shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, pas veprime të shpejta hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të shtetasit Q. M., 39 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë.

Ky shtetas, në orët e para të mëngjesit, dyshohet se në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, i ka vënë zjarrin një dyqani shumice me mallra industrialë, në pronësi të shtetasit F. V., 65 vjeç, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në afërsi të baneses të shtetasit F. V., ka tentuar të djegë edhe automjeti e markës “Toyota”, po në pronësi të këtij shtetasi. Vijon puna puna për kapjen e shtetasit Q. M. dhe venien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Rreth orës 02:00, në lagjen “24 Maji”, ka rënë zjarr dhe janë djegur tre automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve D. S, Z. K dhe Y. I. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.