Aktualitet

Zv.ambasadori amerikan Smith: Rritje e ndjekjeve penale dhe e dënimeve të trafikantëve në Shqipëri!

Zv.ambasadori amerikan në Shqipëri, Demian Smith deklaroi sot se këtë vit pati rritje të ndjekjeve penale e të dënimeve të trafikantëve në vendin tonë. Në fjalën e tij në aktivitetin e prezantimit të projektit “Avancimi i kapaciteteve trajnuese të Shkollës së Magjistraturës dhe Akademisë së Sigurisë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, prezantuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Smith u shpreh:

Besim që organet ligjzbatuese dhe profesionistët e drejtësisë në Shqipëri janë të përkushtuar për t’u përballur me trafikimin njerëzor. Dhe shpresë që Shqipëria do të vazhdojë të forcojë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët llogaridhënës. Shqipëria ka bërë përparim në ndjekjen penale të trafikantëve në vitet e fundit, por mbetet ende punë për t’u bërë.

Raporti i DASH për trafikimin e personave ka bërë disa rekomandime për Shqipërinë. Rritje të ndjekjes penale dhe dënimeve të trafikantëve, rritje e kontrollit proaktiv të popullatave të cenueshme nga zyrtarët e vijës së parë dhe institucionalizimi i trajnimeve për të gjithë organet ligjzbatuese, prokurorët dhe zyrtarët gjyqësor.

Këtë vit pamë një rritje të ndjekjeve penale dhe të dënimeve të trafikantëve. Ky është një lajm i mirëpritur, por ne nxisim veprimin për ta bërë këtë një prirje vjetore, për të treguar vendosmëri të qëndrueshme për të ndaluar trafikimin. Kjo është arsyeja pse qeveria e SHBA financoi këtë projekt, i cili do të forcojë kapacitetet dhe burimet e edukimit dhe trajnimit në Shkollën e  Magjistraturës dhe në Akademinë e Sigurisë.

Gjyqtarët, prokurorët dhe policia e ardhshme e Shqipërisë do të pajisen më mirë për të identifikuar, për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar trafikantët e qenieve njerëzore. Të gjithë jemi dakord që trafikimi i qenieve njerëzore është i tmerrshëm, e megjithatë si shumë krime të kryera për shkak të korrupsionit, dëshmitarët dhe autoritetet mund të ndjehen të pafuqishëm për të ndërhyrë. Shqipëria po ndërmerr reforma ambicioze në drejtësi, por ne e dimë se kjo nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po shohim rezultate.

Trajnimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë së kualifikuar për një sërë sfidash  përfshirë mënyrën e ndjekjes penale dhe parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore është një pjesë vendimtare e ofrimit të një sistemi drejtësie të besuar për popullin shqiptar.

Projekti, i cili zbatohet me mbështetjen e qeverive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Norvegjisë dhe Italisë, synon të çojë përpara dhe të mbështesë cilësinë e trajnimit për strukturat e policisë, gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri në masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Kjo do të bëhet përmes specializimit të stafit akademik të Shkollës së Magjistraturës dhe të Akademisë së Sigurisë.