Dita e 8 Sociale

Zv. ministrja e Brendshme, Romina Kuko: “Konsiderohet tabu ushtrimi i dhunës të gruas ndaj burrit, por në Shqipëri ndodh!”

Zv. Ministrja e Brendshme, Romina Kuko e ftuar në ‘Dita e 8’ ka folur rreth temës së dhunës dhe sa e shpeshtë po bëhet në Shqipëri ky problem. Kuko tregoi se ky shqetësim nuk është një fenomen shqiptar, por global.

Dhuna nuk është fenomen shqiptar, as kriminaliteti. Përgjegjësinë për të tilla ndodhi e ka shoqëria, pasi institucionet nuk mund ta parandalojnë dhunën kur ka ndodhur dhe as policia. Duhet të gjejmë se çfarë e shkakton. Unë kam qenë para shumë vitesh aktiviste dhe merresha me rastet e dhunës. Kjo shoqëri duhet të krijojë barriera ndaj dhunës. Duke u përqëndruar tek ekstremi, dhuna fizike, neglizhojmë llojet e tjera të dhunës. 

Kuko gjithashtu ka treguar për një problem që në Shqipëri konsiderohet tabu dhe ajo është dhuna e ushtruar të gruas ndaj burrit.

Konsiderohet tabu ushtrimi i dhunës së gruas ndaj burrit, por në Shqipëri ndodh. Dhuna në familje është krim kontrolli. Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm ndaj shenjave që paralajmërojnë dhunën, siç është kontrolli obsesiv.

Zv. ministrja e Brendshme tha se në polici ka ende punë për të bërë dhe se asgjë nuk është perfekte, por gjërat janë më ndryshe se vite më parë.