Sport

Zyrtare, Mbappe refuzon Real Madrid dhe qëndron në Paris!

Kylian Mbappe qëndron në Paris. Pas një pritjeje mjaft të gjatë, sulmuesi francez vendosi të rinovojë kontratën me PSG-në deri në verën e 2025-ës dhe e bëri këtë pak orë para ndeshjes së fundit të sezonit.

“Historia shkruhet këtu. Këtu është Paris”, thotë Mbappe në videon e njoftimit të prezantimit, ndërsa presidenti Al Khelaifi kishte organizuar një ceremoni spektakolare në “parkun e Princave” për të festuar akordin për rinovim me yllin francez.

Fishekzjarre, festë dhe një bluzë ku shkruhej “Kylian është Parisi”, teksa tifozët e shumtë në shkallët e stadiumit shpërthyen në duartrokitje e kore për sulmuesin francez, që vendosi të rinovojë për tre sezone.

Merr fund kështu një nga telenovelat më të gjata të merkatos, me Mbappe që ishte shumë pranë kalimit te Reali i Madridit me parametra zero, por në fund vendosi të zgjedhë ofertën më joshëse, që i erdhi pikërisht nga PSG-ja.

Josep Pedrerol, në “El Chiringuito”, ka zbuluar fjalët që Kylian Mbappe i ka shkruar presidentit të Real Madridit.

“Ju informoj se kam vendosur të qëndroj te PSG-ja. Dua t’ju falënderoj për mundësinë që më keni dhënë për të luajtur për Madridin, klub me të cilin kam qenë tifoz që kur isha fëmijë. Shpresoj të jeni mirëkuptues me vendimi im. Suksese në finalen e Champions League!”