Sport

Zyrtare: Nedim Bajrami, pjesë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit!

Nedim Bajrami bëhet pjesë e Kombëtares. Prej disa muajsh, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur procedurat për të bërë të mundur aktivizimin e Bajramit me Shqipërinë, por pas refuzimit të parë nga organet ndërkombëtare, Drejtoria Juridike e FSHF-së iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Pas përgatitjes së dosjes voluminoze, me të gjithë dokumentacionin e duhur, konsultimit me ekspertët më të mirë të drejtësisë dhe shumë orëve punë, Federata Shqiptare e Futbollit arriti të triumfojë në CAS duke arritur të sigurojë shërbimet një lojtari që do ta ndihmojë shumë skuadrën tonë Kombëtare siç është shprehur edhe trajneri Edoardo Reja.

Gjyqi i dytë ndërkombëtar që fiton Federata Shqiptare e Futbollit, kjo padiskutim një arritje shumë e rëndësishme për institucionin e futbollit në vend, që tregon se duke përgatitur procese të rregullta dhe punuar në mënyrë serioze, drejtësia triumfon, ashtu siç ishte rasti i gjyqit ndërkombëtar për ndeshjen Serbi-Shqipëri.

FSHF i uron mirë se ardhjen Nedim Bajramit dhe i uron suksese të mëdha me fanellën e shenjtë kuqezi.

Mesfushori i cili aktivizohet te Empoli në Serinë A, mund të luajë që në ndeshjen me Poloninë, ditën e enjte. Futbollisti do të thirret nga trajneri Reja, pasi gjasat janë të mëdha që Bajrami të debutojë me fanellën kuqezi në sfidën ndaj kombëtares polake.

I lindur në një familje shqiptare në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, më 28 shkurt të vitit 1999, Nedim Bajrami është aktivizuar fillimisht me të rinjtë në Zvicër ku emigroi familja e tij.