Bota Tech

Zyrtari i lartë i Apple Greg Joswiak kundër vizionit të Mark Zuckerberg rreth Metaverse!

Zyrtari i Apple, Greg Joswiak, së fundmi diskutoi gjatë një konference rreth vizionit të Mark Zuckerberg për Metaverse-n. Joswiak, zyrtari i lartë i Apple i marketingut në mbarë botën, tha se Metaverse është një fjalë që nuk do ta përdorë kurrë. Apple ka vendosur t’i shmanget terminologjisë në të kaluarën, edhe pse punon me kufjet e veta të kombinuara AR dhe VR. Në fillim të këtij muaji, CEO Tim Cook tha se kompania shmang përdorimin e fjalës “metaverse” sepse edhe një “person mesatar” nuk e di se çfarë do të thotë.

Ndërkohë, Mark Zuckerberg e ka bërë Metaverse fokusin dhe emrin kryesor të kompanisë së tij, të njohur më parë si Facebook. Zuckerberg ka thënë se ai parashikon një të ardhme ku njerëzit lidhen në një univers digjital duke përdorur avatar dhe ka shpenzuar 15 miliardë dollarë deri më tani në përpjekjen për ta bërë realitet atë vizion.

Por drejtuesit e kompanive konkurruese si Apple dhe Snap kanë dyshime të mëdha për vizionin e tij për të ardhmen. Zuckerberg është shprehur se qëllimi i tij është që 1 miliard njerëz t’i bashkohen botës së tij virtuale, Metaverse dhe të krijojnë një ekonomi digjitale, ku përdoruesit mund të shprehin veten.

Në vend të kësaj, Cook dhe CEO i Snap, Evan Spiegel, kanë vendosur të fokusojnë kompanitë e tyre rreth realitetit të shtuar kundrejt atij virtual. Ndërsa VR e çon individin në një peisazh të rikrijuar plotësisht në mënyrë digjitale, AR kombinon përmbajtjen e krijuar nga kompjuteri me botën reale që do të thotë se në AR përmbajtja digjitale mbivendoset mbi pamjen e një individi për botën reale. Rikujtojmë, se Apple është një nga konkurrentët më të mëdhenj të Meta-s kur bëhet fjalë për shitjen e pajisjeve për Metaverse.