Bota

Zyrtari rus: Në Ukrainë, Rusia po lufton kundër NATO-s!

Një prej aleatëve më të ngushtë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska tani po lufton në Ukrainë me NATO-n, aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nikolai Patrushev shtoi se “Perëndimi po tenton që ta zhdukë Rusinë nga harta politike e botës”.

Luftën në Ukrainë, shefi i Kremlinit, Putin e konsideron si një betejë ekzistenciale dhe e akuzon Perëndimin se është agresiv e arrogant. Lideri rus ka bërë të qartë se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur veten dhe popullin e saj kundër çdo agresori. Nga diplomatët perëndimorë, Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev, shihet si një prej njerëzve që kanë ndikim të madh te Putini. Ai ka premtuar fitore në Ukrainë, pavarësisht se trupat ruse janë përballur me shumë pengesa në fushëbetejë. Gjatë një interviste,

Patrushev deklaroi:

Ngjarjet në Ukrainë nuk janë përplasje mes Moskës dhe Kievit, por ky është një konfrontim ushtarak ndërmjet Rusisë dhe NATO-s e mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Planet e perëndimorëve janë që të vazhdojnë ta ndajnë Rusinë dhe ta fshijnë nga harta politike e botës.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur poshtë pretendimet se duan ta shkatërrojnë Rusinë, shtetin që është prodhuesi më i madh i burimeve natyrore. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s mund të nxisë nisjen e Luftës së Tretë Botërore.

Pushtimi rus i Ukrainës që nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar është një prej konflikteve më vdekjeprurës në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Po ashtu, ka shkaktuar përplasjen më të madhe mes Moskës e Perëndimit që nga koha e krizës së raketave kubaneze të vitit 1962, kur Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin shumë pranë një lufte bërthamore.