Bota

Zyrtarisht nis tërheqja e trupave të NATO-s nga Afganistani

Pas gati 20 vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja sot nisin zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani, duke e lënë këtë shtet me një të ardhme të paqartë, ndërkohë që rriten sulmet nga talebanët.

Rreth 10.000 ushtarë të NATO-s, përfshirë 2.500 amerikanë do të largohen nga territori afgan deri më 11 shtator. Dita e 1 majit shënon nisjen zyrtare edhe pse heqja e pajisjeve ushtarake filloi disa javë më parë.

Disa shtete të NATO-s kanë angazhuar forca shtesë që të garantojnë tërheqjen. Ekzistojnë shqetësime se talebanët mund të sulmojnë forcat gjatë procesit. Por një zyrtar i Aleancës deklaroi se çdo sulm do të marrë përgjigje të fuqishme.

Tërheqja e forcave ndërkombëtare do të jetë test për forcat afgane të sigurisë pasi duhet të mbrojnë territorin që kontrollon qeveria. Gjeneralët amerikanë kanë shprehur shqetësime se tërheqja mund të rezultojë me rrëzim të Qeverisë afgane apo me luftë të re civile.

Por, presidenti amerikan Joe Biden është i vendosur të zbatojë planin e tërheqjes të trupave deri në ditën kur shënohet 20-vjetori i sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Aleatët e Uashingtonit në NATO thanë se do të ndjekin rrugën e SHBA-ve për largim nga Afganistani.