Politikë

Zyrtarja e lartë amerikane takon Tabakun dhe Alibeajn, asnjë plan për Berishën

Pas rreth një ore, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane & Euroaziatike Karen Donfried, do të takohet me nënkryetarët e Partisë Demokratike, Jorida Tabakun, Enkelejd Alibeajn dhe sekretarin e përgjithshëm Gazment Bardhi. Takimi do të zhvillohet në kryesinë e Kuvendit dhe vjen një ditë para Kuvendit të Komisionit të Rithemelimit. Zyrtarja amerikane nuk ka njoftuar takime me ish kryeministrin Berisha.

Theksojmë se Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro aziatike, Karen Donfried ka mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e djeshme. Gjatë ditës së sotme ajo pritet të ketë një sërë takimesh me zyrtarët shqiptarë.

Karen Donfried do të zhvillojë një takim me 3 zyrtarët demokratë të cilët vijojnë të mbështesin linjën e amerikanëve, që SHBA-të i njohin si përfaqësues të PD-së zyrtare, Jorida Tabakun, Gazment Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn. Ky takim, i cili do të mbahet në Kryesinë e Kuvendit duke shmangur selinë blu vjen një ditë para Kuvendit të Komisionit të Rithemelimit.

Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa pas takimit pritet të ketë edhe një deklaratë për mediat.

Ashtu sikurse Gabriel Escobar bëri në dhjetor, para mbledhjes së Kuvendit të stadiumit edhe shefja e tij, Karen Donfried pritet të bëjë të qartë qëndrimin e amerikaneve nëse drejtimin e partisë me te madhe të opozitës e merr Sali Berisha.

Ndërkohë që mesditën e së premtes është parashikuar një takim edhe me kryeministrin Rama rreth orës 12:00. Në agjendën e zyrtares amerikane nuk është parashikuar një takim me presidentin Ilir Meta.

Sakaq, menjëherë sapo mbërriti në Shqipëri, e dërguara e DASH të parin që takoi ishte Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili ishte dje në një vizitë në Shqipëri.