Enisa Allmuça

Enisa Allmuça ka lindur më 20 korrik 1990 në Tiranë. Ajo ka përfunduar studimet për Informatikë Ekonomike dhe Kërkime Shkencore në Biznes mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke ndërtuar një profil që ndërthur teknologjinë, ekonominë dhe komunikimin publik. Aktualisht ndjek studimet doktorale në fushën e Sistemeve të Informacionit, me fokus në InteligjencënArtificiale dhe transformimin digjital.

Eksperienca e saj në media ka qenë e hershme, si drejtuese e Radio +2 dhe A1 Report TV. Ajo ka mbajtur gjithashtu pozicione drejtuese në kompani private dhe në administratën publike, ku edhe aktualisht punon. Paralelisht, është pedagoge pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Përvoja e saj e punës në Bundestagun gjerman, i ka dhënë karrierës së saj një dimension më të gjerë ndërkombëtar dhe ka forcuar vizionin e saj për lidership dhe shërbim publik.

Nga muaji tetor 2025, Enisa vjen për herë të parë me emisionin e saj “AJO”, që transmetohet në Top Channel dhe Top Albania Radio. Programi sjell histori reale të grave shqiptare, rrëfime për forcë, guxim dhe ndjeshmëri, duke i kthyer sfidat personale në mesazhe shprese dhe reflektimi. E frymëzuar nga përvoja e saj me kancerin e gjirit, Enisa i është dedikuar kauzave që prekin gratë dhe vajzat, nga përjashtimi social dhe dhuna, te barazia dhe fuqizimi personal.

“AJO” është për të më shumë se një emision — është një hapësirë për t’u dëgjuar, për t’u ndarë dhe për të frymëzuar.

Follow Enisa