Një ngjarje dy të vërteta

Kush mendon se ka një të vërtetë, gabon. Mund të ketë një diell, një hënë e qiell, por jo një të vërtetë. Jetojmë në një kohë kur secili ka të vërtetën e tij. Madje jetojmë në një kohë kur për një ngjarje ka dy ose më shumë të vërteta. A nuk ndodh kështu kur dëgjojmë llogjet e politikanëve nëpër foltore, sukseset e dyshimta të qeverisë, apo premtimet butaforike të opozitës? A nuk e ndjejmë këtë te formalizmi shoqëror dhe konformizmi publik?! Nuk ndodh kështu kur flasim për rrugët, shkollat, shëndetin, rendin e sigurinë, ajrin, ujin, rregullin publik e pastërtinë?! Nuk ndodh kur humb jeta e një të riu në aksident apo krim, e një të moshuari në azil apo në harrim?! A nuk ndodh kështu kur raportojmë e flasim për paratë publike dhe ekonominë?!

Gjetja e mesit të artë për të pretenduar se ka një të vërtetë është e barabartë me utopinë. Pra të gjitha këto dhe jo vetëm këto, kanë dy anët e medaljes dhe realitetit, njërin formal e tjetri prej vërteti, ky i dyti shpesh i pathënë, i mohuar apo shtrembëruar. Ndaj mëkati profesional na thërret në ndërgjegje që t’i themi disa të vërteta në realitetet e veta. Të vërteta që mund të jenë njëherësh tragjike, herë herë dramatike, por brenda fshehin edhe pjesën e tyre komike. Top Albania Radio sjell disa prej ngjarjeve që shënjojnë politikën, ekonominë, aktualitetin, artin dhe sportin në një këndvështrim me titull “Një ngjarje dy të vërteta”.

Marrëveshja Shqipëri – Itali për refugjatët, e nënshkruar disi ‘në fshehtësi’ mes Kryeministrave Rama – Meloni padyshim që trazoi politikën por edhe shoqërinë shqiptare. Ku do të strehohen emigrantët nga Afrika? Janë vetëm burra apo gra? Do rrinë apo do ikin? Kush do t’i mbajë me bukë etj, janë disa nga pyetjet që të gjithë u munduan t’i jepnin përgjigje. Nga ana tjetër flakadanët dhe tymyeset që ishim mësuar t’i shikonim në stadium, përfunduan në një sallë më të vogël, atë të parlamentit. Kaos, karrige përmbys, hyrje nga dritaret e përjashtime nga salla ishin imazhet qe na kanë shoqëruar çdo fillimjave. Sali Berisha mes prokurorisë dhe dirigjimit të kaosit padyshim që është një orkestrues i zoti. SPAK ndërkohë e ka lëshuar dorën fare, operacione me të arrestuar të rëndësishëm po mbahen thuajse çdo javë, saqë frika është evidente në çdo qytet, tek ata që kanë bërë zarar. Ama një festë e kishim, Shqipëria zyrtarisht në Euro 2024. Të paktën vitin e ardhshëm do kemi me çfarë të merremi ca muaj, shyqyr jo me politikë.

Na ndiqni të dielën e fundit të çdo muaji, ora 18:00.

Hosts & DJs