Aktualitet

Atentati në Vlorë, hetohet hakmarrja/4 vetë u morën në pyetje!

Hakmarrja është pista kryesore që po heton policia për vrasjen e 30-vjeçarit Kristian Marku, mbrëmë në aksin Fier-Vlorë. Kristian Marku përdorte edhe identitetin Kristian Bardhi. Ai ishte nipi i Martin Bardhit, i vrarë në Rrëshen në shtator 2023.

Uniformat blu dyshojnë se vrasja është kryer për hakmarrjen afro 28 vjeçare mes fiseve Reçi e Bardhi në Rrëshen. Viktima nuk është emër i panjohur për autoritetet, pasi kishte precedentë të mëparshëm penalë për “Vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

30 vjeçari ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Vlorës, kur autorët që dyshohet që ishin tre, i bënë pritë në mbikalimin e Novoselës. Sapo hyri aty, e ndoqën dhe e qëlluan me armë zjarri duke i shkaktuar plagë të rënda, të cilave nuk iu mbijetoi. Mjeti i djegur që përdorën u gjet, por jo arma e krimit.

Sipas burimeve, blutë shkuan në banesën e familjes Reçi ku ushtruan kontrolle dhe shoqëruan katër anëtarë të këtij fisi. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me krimin, por mohuan të kenë dijeni e lidhje me ekzekutimin e Markut.