Aktualitet

Baldushk, hapet tregu i shpendëve, tradita e fundvitit që mbledh qytetarët e Tiranës!

Ashtu si e do tradita, edhe këtë vit u hap Tregu i Shpendëve në Baldushk, i cili prej vitesh është kthyer në një pikë referimi për qytetarët e Tiranës gjatë festave të fundvitit.

Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Tregjeve, Fatjon Dhuli, u bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin gjelin e detit nga Baldushku, duke e cilësuar atë si një produkt cilësor, tradicional dhe pjesë të pandashme të tryezës së fundvitit.

Dhuli theksoi rëndësinë e mbështetjes së tregtarëve dhe fermerëve vendas, duke nënvizuar se ky treg ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë lokale, pasi rritja e gjelit të detit përbën burimin kryesor të të ardhurave për zonën e Baldushkut.

LEXO EDHE: Gjysma e shqiptarëve jashtë! Të dhënat e INSTAT: 2.2 milionë jetojnë jashtë territorit!

Aktiviteti i hapjes u shoqërua me atmosferë festive, muzikë live dhe degustim të gjelit të detit, duke tërhequr dhjetëra vizitorë dhe duke krijuar një ambient mikpritës për familjet dhe blerësit.

Tregu i Shpendëve në Baldushk do të vijojë aktivitetin e tij deri më 31 dhjetor, duke ofruar kushte të rregullta dhe të organizuara për tregti dhe blerje gjatë gjithë periudhës së festave.

LEXO EDHE: Burri thyen REKORD duke kënduar këngë Krishtlindjesh për 42 orë rresht!