Më 18 shtator festohet Dita Ndërkombëtare e Pagës së Barabartë, një ditë që i kushtohet përpjekjeve shumëvjeçare për të arritur barazi në pagesë mes burrave dhe grave. Ajo mbështetet mbi angazhimin e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe kundër çdo forme diskriminimi, duke përfshirë diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.
Sipas të dhënave globale, gratë vazhdojnë të paguhen mesatarisht 20% më pak se burrat. Hendeku midis gjinive në paga është produkt i marrëdhënieve historike dhe strukturore të pabarabarta të pushtetit, i varfërisë, i aksesit të kufizuar në burime dhe mundësi, si dhe i barrierave që u mohojnë grave dhe vajzave zhvillimin e plotë të kapaciteteve të tyre.
Përparimi në ngushtimin e këtij hendeku ka qenë i ngadaltë: edhe pse parimi i pagesës së barabartë është pranuar gjerësisht, zbatimi praktik i tij mbetet i vështirë.
Agjenda e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 e vendos barazinë midis gjinive dhe fuqizimin e grave si shtyllë kryesore, duke e lidhur atë me objektiva të tjerë si punësimi i denjë, rritja ekonomike dhe paga e barabartë për punë me vlerë të barabartë. Zbatimi i kësaj agjende kërkon integrimin e perspektivës gjinore në çdo hap të politikëbërjes.
Arritja e pagës së barabartë përfaqëson një gur themeli në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore, por kërkon angazhimin e të gjithë komunitetit global.
Pse vijon hendeku në paga?
Shkaqet lidhen me pabarazitë e ngulitura thellë. Gratë, veçanërisht emigrantet, janë të mbipërfaqësuara në sektorin informal, shpesh në punë me paga të ulëta, kushte të pasigurta dhe pa përfitime sociale.
Përveç kësaj, ato kryejnë mesatarisht tre orë më shumë punë përkujdesjeje në ditë sesa burrat, që shkon nga kujdesi për familjen e deri tek të moshuarit.
“Penaliteti i amësisë” e thellon më shumë pabarazinë: nënat që punojnë shpesh përballen me paga më të ulëta, sidomos kur kanë më shumë fëmijë. Shtohen këtu stereotipet gjinore, praktikat diskriminuese në rekrutim dhe vendimmarrjet për ngritje në detyrë.
Çfarë duhet bërë?
Në një periudhë me tregje pune të brishta, pabarazi në rritje dhe sfida për multilateralizmin, mesazhi është i qartë: paga e barabartë për punë me vlerë të barabartë është çështje thelbësore e të drejtave të punës dhe të njeriut, drejtësisë sociale dhe rezistencës ekonomike.
Për të përshpejtuar progresin, ILO, UN Women dhe OECD udhëheqin Koalicionin Ndërkombëtar për Paga të Barabartë (EPIC), që bashkon aktorë të ndryshëm, qeveri, punëdhënës dhe punëmarrës, me qëllim uljen e hendekut gjinor në paga në nivel global, rajonal dhe kombëtar.
Fakte alarmuese
Gratë fitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar që fitojnë burrat për punë me vlerë të barabartë, me diferencë edhe më të madhe për nënat. Gratë kanë më shumë gjasa të jenë të papuna sesa burrat, me dallime të theksuara sipas rajoneve.
Vetëm 28% e grave të punësuara globalisht gëzojnë të drejtën e lejes së paguar të lindjes.
Gati 65% e personave mbi moshën e pensionit pa të ardhura të rregullta janë gra. Gratë kryejnë të paktën dy herë e gjysmë më shumë punë shtëpiake dhe kujdesjeje të papaguar sesa burrat. Barazia në paga nuk është vetëm drejtësi sociale: është një imperativ ekonomik dhe zhvillimor që ndikon në fuqizimin e grave, rritjen e produktivitetit dhe ndërtimin e shoqërive më të qëndrueshme. /shqip.al