Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos një tarifë prej 25% për të gjitha mallrat që importohen nga Kanadaja dhe Meksika, duke synuar që të dyja këto shtete të veprojnë për të frenuar imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.
Po ashtu, mallrat që vijnë nga Kina do të taksohen me një tarifë prej 10% mbi çdo tarifë shtesë, deri sa ky shtet të marrë masa për të ulur kontrabandën e fentanilit. Trump ka shprehur më parë se mund të vendosë një taksë 60% për importet nga Kina dhe është duke konsideruar një taksë prej 200% për disa importime makinash nga ky vend.
Tarifat janë një pjesë thelbësore e vizionit ekonomik të Trump, i cili i sheh ato si një mënyrë për të rritur ekonominë amerikane, për të mbrojtur vendet e punës dhe për të rritur të ardhurat nga taksat.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump u tha votuesve se këto tarifa “nuk do të jenë një kosto për ju, por një kosto për një vend tjetër”.
Megjithatë, kjo ide është kritikuar nga ekonomistët, të cilët e konsiderojnë këtë deklaratë si të pasaktë.
Si funksionojnë tarifat?
Në terma praktikë, një tarifë është një taksë e brendshme e vendosur mbi mallrat kur ato hyjnë në vend, në përpjesëtim me vlerën e importit.
Pra, një makinë e importuar në SHBA me një vlerë prej 50,000 dollarë (38,000 £) që i nënshtrohet një tarife prej 25%, do të përballet me një tarifë prej 12,500 dollarë.
Tarifa paguhet fizikisht nga kompania vendase që importon mallrat, jo nga kompania e huaj që i eksporton ato.
Pra, në këtë kuptim, është një taksë e drejtpërdrejtë që i paguhet qeverisë amerikane nga firmat vendase amerikane.
Gjatë vitit 2023, SHBA importoi rreth 3.1 trilion dollarë mallra, ekuivalente me rreth 11% të PBB-së së SHBA-së.
Çështja se ku bie barra përfundimtare “ekonomike” e tarifave, në krahasim me faturën fillestare, është më e ndërlikuar.
Nëse firma importuese amerikane ia kalon koston e tarifës personit që blen produktin në SHBA në formën e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë, do të ishte konsumatori amerikan ai që mban barrën ekonomike.
Nëse firma importuese amerikane thith vetë koston e tarifës dhe nuk e kalon atë, atëherë ajo firmë thuhet se mban barrën ekonomike në formën e fitimeve më të ulëta sesa do të kishte gëzuar në rrethanat e mëparshme.
Përndryshe, është e mundur që eksportuesve të huaj mund t’u duhet të ulin çmimet e tyre të shitjes me shumicë me vlerën e tarifës në mënyrë që të mbajnë klientët e tyre amerikanë.
Në atë skenar, firma eksportuese do të mbante barrën ekonomike të tarifës në formën e fitimeve më të ulëta.
Të tre skenarët janë teorikisht të mundshëm.
Por studimet ekonomike të ndikimit të tarifave të reja që Trump vendosi në mandatin e tij të parë midis 2017 dhe 2020 sugjerojnë se pjesa më e madhe e barrës ekonomike u përballua përfundimisht nga konsumatorët amerikanë.
Një sondazh i Universitetit të Çikagos në shtator 2024 pyeti një grup ekonomistësh të respektuar nëse ata ishin dakord me deklaratën se “vendosja e tarifave rezulton në një pjesë të konsiderueshme të tarifave që përballohen nga konsumatorët e vendit që vendos tarifat, nëpërmjet rritjes së çmimeve”. Vetëm 2% nuk ishin dakord.
Rritja e çmimeve
Le të përdorim një shembull konkret.
Trump vendosi një tarifë 50% për importet e makinave larëse në 2018.
Studiuesit vlerësojnë se vlera e makinave larëse u rrit me rreth 12% si pasojë e drejtpërdrejtë, ekuivalente me 86 dollarë për njësi, dhe se konsumatorët amerikanë paguanin rreth 1.5 miliardë dollarë shtesë në vit në total për këto produkte.
Nuk ka asnjë arsye për të besuar se rezultatet e tarifave edhe më të larta të importit nga një administratë e ardhshme Trump do të ishin ndryshe për sa i përket vendit ku do të binte barra ekonomike.
Një familje tipike në mes të shpërndarjes së të ardhurave në SHBA, vlerëson grupi i ekspertëve, do të humbiste rreth 1700 dollarë çdo vit.
Ndikimi në vendet e punës
Megjithatë, Trump ka përdorur një tjetër justifikim ekonomik për tarifat e tij: që ato mbrojnë dhe krijojnë vende pune të brendshme në SHBA.
“Sipas planit tim, punëtorët amerikanë nuk do të shqetësohen më për humbjen e vendeve të punës për vendet e huaja, përkundrazi, vendet e huaja do të shqetësohen për humbjen e vendeve të punës në Amerikë,” tha ai gjatë fushatës zgjedhore.
Studiuesit që analizuan ndikimin e tarifave të mandatit të parë të Trump nuk gjetën efekte thelbësore pozitive në punësimin e përgjithshëm në sektorët industrialë të SHBA-së që ishin të mbrojtur.
Trump vendosi tarifa 25% për çelikun e importuar në 2018 për të mbrojtur prodhuesit amerikanë.
Deri në vitin 2020, punësimi total në sektorin e çelikut në SHBA ishte 80,000, ende më i ulët se 84,000 që kishte qenë në 2018.
Teorikisht është e mundur që punësimi mund të ketë rënë edhe më tej pa tarifat e çelikut të Trump, por studimet e detajuara ekonomike të ndikimit të tyre në çelikun amerikan ende nuk treguan asnjë ndikim pozitiv në punësim .
Dhe ekonomistët kanë gjetur gjithashtu prova që sugjerojnë se, për shkak se çmimi i brendshëm i çelikut u rrit pas vendosjes së tarifave, punësimi në disa sektorë të tjerë të prodhimit në SHBA, të cilët mbështeteshin te çeliku si një input duke përfshirë prodhuesin e makinerive bujqësore Deere & Co – ishte më i ulët seç do ishte.
Ky artikull është marrë me shkurtime nga BBC