Politikë

Berisha: 21 janari vrasje shtetërore të paqëllimshme, ja pse nuk hetoi SPAK!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se SPAK ka hezituar ta hetojë ngjarjen e 21 janarit pasi e ka parë se autori kryesor i gjithë atij skenari është Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se reagimi i gardës në atë ngjarje ishte në zbatim të ligjit për mbrojtjen e institucioneve, një ligj që siç theksoi është bërë nga vetë socialistët në fillim.

“Sepse SPAK është një vegël e kësaj qeverie. E vërteta është se SPAK e ka refuzuar këtë çështje. Pasi ka shqyrtuar dosjen, e ka refuzuar të themi atë që është, sepse e ka parë se autori kryesor i gjithë atij skenari është Edi Rama.

Cilido që e sheh atë dosje, del Edi Rama lakuriq. Del Erion Veliaj duke hedhur bojë të kuqe, është identifikuar edhe personi, sikur është gjak, për të nxitur më shumë. Ndaj dhe Skapi nuk pranoi ta shqyrtojë.

Ajo që thonë se Gjykata e Strasburgut, tha vrasje shtetërore, e kam thënë unë përpara. Pse e kam thënë. Sepse ka vrasje me dashje, ka vrasje pa dashje.

Roja ka ligjin. Roja i Gardës dhe cilido roje, vepron mbi bazën e ligjit dhe lexoni ligjin çfarë thotë. Po të gjuajti, breshëri në ajër, po vazhdoi të gjuajë, tek këmbët dhe pastaj neutralizim.

Ky është ligji i bërë nga socialistët dhe në qoftë se fillimisht u tha se, janë plumba nga afër që linte për të nënkuptuar që ishin demonstrues që kanë qëlluar njëri-tjetrin, më vonë u tha jo, ajo ekspertizë nuk ishte e drejtë, por janë nga distanca. Atëherë e kam thënë dhe e them, ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorura në përputhje me rregullat dhe ligjin, pra janë vrasje shtetërore të paqëllimshme. Edhe këto quhen vrasje shtetërore”, tha Berisha.