Era Rusi: “Pandemia na ka ndihmuar t’i thërrasim mendjes, mos punojmë më në të zezë”
Dilema Sociale
20:24 07/12/2020
Këngëtarja e njohur Era Rusi, ishte sot e ftuar në studion e Top Albania Radio-s në emisionin “Dilema Sociale”. Era Rusi si gjithmonë e qeshur dhe me pozitivitet ndau eksperiencën e saj gjatë pandemisë së COVID-19.
Në një bashkëbisedim me Eno Popin, ajo tregoi përjetimet e saj çfarë i mori kjo pandemi dhe çfarë i dha.
“Marsi mua më gjeti në Amerikë, kalova një periudhë goxha të vështirë sepse ishte diçka e panjohur si për mua dhe si për të gjithë, e pabesueshme deri diku… unë kam ardhur me avionin e fundit, më është dukur një tmerr dhe vetja ime si në ato filmat horror, e vetme në të gjithë aeroportin dhe në trurin tim mendoja se po shkoja në vendin tim të vdisja, ishte e frikshme… kam qarë 6-të orë…” -thotë Era duke kujtuar çdo moment.
E pyetur nëse dëshiron të fillojë muzikën menjëherë pasi të çlirohemi nga kjo pandemi, Era shprehet: “Artisti, instrumentisti, aktori e ushqejnë shpirtin e tyre me artin e tyre dhe në momentin që e lë artistin pa punë është si një “zombie” që vjen vërdallë, pa shpirt…”
Për sa i përket buxhetit Era mendon se kjo pandemi iu ka dhënë një mësim artistëve, ajo shton: “Më vjen keq për artistët, të cilët nuk kanë një nipt, nuk janë të siguruar, por deri diku mendoj se kjo situatë ka ndihmuar t’i thërrasim mendjes që mos punojmë më në të zezë… në fakt na ndihmoi të kuptojmë se nuk mjafton vetëm të këndosh ose të vësh ndonjë gjë mënjanë, por duhet edhe të paguash ca taksa, duhet të jesh i rregullt me vendin ku jeton, që nesër të kërkosh diçka mbrapsht.”
Gjatë intervistës Era dhuroi emocione dhe shumë të qeshura, gjithashtu dha edhe mesazhe që do t’i duhen çdo njeriu.
Megi Pojani: Vajzat që shiten vetëm me foto në Instagram janë të mërzitshme, nuk kanë asgjë!
Dilema Sociale
18:04 01/12/2020
Në emisionin “Dilema Sociale” u diskutua tema e virtualitetit. Për t’ju përgjigjur më mirë kësaj kauze ishin të ftuara në Top Albania Radio persona të njohur që nga Dalina Buzi, Holta Shupo, Edi Manushi dhe në fund Megi Pojani.
Tani është bërë stil jetese leximi i lajmeve online, postimet në Instagram rreth përditshmërisë dhe reklamimi i gjithçkaje deri edhe i emisioneve televizive. Në studio ishte vajza që ka bërë bujë që me daljen e saj të parë në serialin online dhe shumica prej fansave e krahasojnë me Kim Kardashian. Ajo e ka ëndërruar gjithmonë botën e televizionit dhe tashmë është pjesë e emisionit “Maskat” në Top Channel.
Në një intervistë me Eno Popin, Megi zbulon sekretin e saj të karrierës online dhe çfarë duan njerëzit të shohin apo të dëgjojnë. “Kur nisa rrugëtimin tim, kam dashur të vazhdoj me një “background” të kem çfarë t’ju jap njerëzve, jo vetëm fakti e të qenurit e bukur. Nëse ecën me idenë për të kopjuar të tjerat nuk do të kesh asnjëherë famë afatgjatë. Sot nuk mund të shitet lakuriqësia, fotot tëheqëse seksi, por vetëm të qenurit e vërtetë. Unë dua të jem në habitatin tim pa skenar dhe sa më reale” – thotë Megi.
Gjithashtu Megi shton: “Shumë vajza tentojnë të bëjnë famë vetëm prej fotove dhe janë shumë të mërzitshme sepse nuk kanë asgjë tjetër për të dhënë nga vetja, përveçse ekspozimit.” Në fund Megi e mbyll duke përmendur se nuk i pëlqejnë asnjëherë njerëzit që thonë atë që duan të tjerët të dëgjojnë, apo bëjnë atë që duan të shikojnë!
Shpërthen Robert Aliaj në radio: “Këngët patriotike janë një turp, poshtërsi, tallava…”
Dilema Sociale
16:41 30/11/2020
Në emisionin “Dilema Sociale” tema që u diskutua ishte “Patriotizmi” meqenëse jemi edhe në ditën e pavarsisë. I ftuar në linjë telefonike ishte Robert Aliaj. Gjatë diskutimeve rreth të rinjve, politikës dhe arsyes pse të rinjtë largohen nga vendi vjen një moment që Roberti nuk përmbahet më dhe shpërthen. Ajo që e ngacmoi atë të reagonte kështu ishin “këngët patriotike”. Sipas Robertit këto këngë janë më antipatriotiket që ekzistojnë. Ai nisi të thërrasë me zë të lartë se janë një “Turp”. “Pa pikë modestie… që nga Adelina Ismaili dhe të gjithë këngëtarët e tjerë kanë një nivel skandaloz, janë tallava e folklorike, poshtërsi që i bëhet vendit tonë. Këto këngë po abuzojnë me himnin… “O sa mirë me qen shqiptar” është turp i madh… është ambalazh për të mbuluar pisllëqet e tyre” –tha Robert Aliaj. Edhe me ndërhyrjen e Eno Popi-t se kënga e Elvana Gjata-s me Flori-n “Kuq e zi je ti” është një këngë shumë e bukur patriotike, Roberti nuk u bind dhe ende vazhdoi ta kundërshtonte këtë rrymë të cilën e përdorin si mënyrë për t’u reklamuar. Pasi përuli këngët patriotike, Roberti shtoi se vetëm ai që doli me “flamurin e thyer” quhet një akt patriotizmi sepse ai rrezikoi jetën e tij.
Adelina Ismaili, i lashë këngët patriotike, kur çdo këngëtar bënte lekë me to në Zvicër
Dilema Sociale
16:37 30/11/2020
Në emisionin “Dilema Sociale” për ditën e pavarësisë u diskutua tema e patriotizmit. Për të diskutuar rreth kësaj teme ishte e ftuar në Top Albania Radio Adelina Ismaili. Për Adelinën Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një ndarje administrative, por në zemër janë gjithmonë bashkë. Ajo ka nisur të këndojë me tema patriotike që në moshën 6 -vjeçare dhe shumicën e jetës së saj ja ka dedikuar atdheut. Gjatë intervistës Eno Popi e pyet atë nëse ne bëhemi patriotë me këngë dhe simbole vetëm në raste festash për vëmendje dhe klikime apo vërtetë e ndiejmë?! “Në ditët e sotme koncepti i patriotizmit ka ndryshuar dhe shumë prej këngëve janë kthyer në një biznes të pandershëm. Njerëzit që më së shumti kanë propaganduar për patriotizëm na kanë zhgënjyer” – shprehet Adelina, duke nënkuptuar që këto këngë po përdoren për lekë dhe për të tërhequr vëmendjen.